Dyfishimi i çmimit, afera e MEICO për armët në Kabul
Historia e NY Times, për të njëjtët protagonistë të përfshirë në tragjedinë e Gërdecit. Historia e shkruar në "Shekulli" 1 javë më parë
TIRANË- Gazeta prestigjoze "NY Times" ka botuar dje shkrimin e shumëdiskutuar për trafikun e municioneve shqiptare në Irak e Afganistan, pas një investigimi të gjatë prej më shumë se tetë muajsh. Fakte, dëshmi e detaje të ndryshme janë publikuar në këtë gazetë, duke treguar lulëzimin e kompanisë amerikane AEY, e drejtuar prej një 22-vjeçari si dhe përfshirjen e trafikantëve të njohur të armëve në këtë çështje. "Shekulli" e ka paralajmëruar këtë trafik duke publikuar për ditë me radhë dëshmi e fakte që tregonin të gjithë të vërtetën e kësaj historie. Këto fakte fillimisht u mohuan publikisht nga zyrtarët shqiptarë, por historia e rrëfyer tashmë nga "NY Times" nuk lë më dyshime. Kjo nuk është historia e Gërdecit, por një tjetër aferë e pistë e armëve, me të njëjtët protagonistë si edhe në Gërdec, që implikon zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Më datë 20 mars "Shekulli" publikoi materialet e para të hetimit të saj disamujor për nisjen e trafikut të armëve në mënyrë tepër të dyshimtë nga shteti shqiptar. Shkrimi "Afera e MEICO me armët në Afganistan" nisi historinë e gjatë të trafikut të municioneve të vjetra mbi 40- vjeçare drejt vendeve në konflikt.
***
Në këtë shkrim janë shpjeguar lidhjet e Mihal Delijorgjit dhe Ylli Pinarit në tregtinë e armëve. Edhe pse kompania amerikane kishte kontraktuar një tjetër firmë shqiptare për paketimet, ajo është detyruar nën presion të prishë kontratën e parë dhe të lidhej me Mihal Delijorgjin. Presioni tjetër që i është bërë firmës amerikane ishte ai i futjes së Henri Tomeit alias Heinrich Thometnë këtë çështje. Ndërsa kishte kërkuar të blinte katër milionë dollarë municione nga MEICO, Diverolin e kishin detyruar po në mënyrë të tërthortë të mos i blinte këto armë me kontratë të drejtpërdrejtë, por përmes një kompanie të tretë me emrin"Evdin.Ltd". Nga kërkimet e bëra prej "Shekullit", kjo është një kompani off-shore (zonë pa taksa) në Qipro, pikërisht aty ku kohë më parë, Delijorgji kishte ngritur për të fshehur të ardhurat e tij kompaninë "Përparim.sh.a."."Evdin.Ltd" i drejtuar nga Henry Tomei (emri i vërtetë mendohet të jetë Heinrich Thomet) blinte armët nga MEICO dhe ia shiste ato më pas kompanisë amerikane AEY, me dyfishin e çmimit. Kështu, nëse një paketë plumbash shitej nga MEICO me 22 dollarë, kjo e fundit i kushtonte AEY.Inc 40 dollarë, një shtesë prej 18 dollarësh, të cilat sipas burimit ndaheshin mes palës shqiptare dhe drejtuesit të "Evdin.Ltd". Historia e plotë e Henri Tomeit (Heinrich Thomet) dhe trafiku ndërkombëtar i armëve i kryer prej tij është publikuar nga "Shekulli" pak ditë më parë
Por problemet e fishekëve nuk mbaruan këtu. Kur këto fishekë mbërritën në Irak e Afganistan dhe nisën të përdoreshin nga ushtritë e këtyre vendeve u zbulua se ato nuk ishin funksionale. Koha kishte bërë të sajën dhe fishekët nuk shkrepnin. Ato u ripaketuan në mënyrë që të mos dukej origjina e tyre, Kina, dhe mosha më shumë se 40- vjeçare.
***
Në të njëjtën ditë "Shekulli" ka botuar në gazetë transkriptet e bisedave të përgjuara mes Diverolit dhe biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka. Në "Shekulli online" janë publikuar kripet reale audio, të cilat ndodhen ende aty për këto që dëshiron ti dëgjojë. Këto janë të njëjtat përgjime të përdorura edhe nga "NY Times" në shkrimin e saj dhe tregohen lidhjet e Pinarit me Tomein dhe Delijorgjin. Për më tepër në këto përgjime shfaqet edhe implikimi i kryeministrit Berisha e djalit të tij në këtë trafik. Menjëherë Berisha reagoi duke lexuar vetë një pjesë të përgjimeve në sallën e kuvendit për t'i bërë ata sa më pak të besueshme. Madje ai arriti deri aty sa tha që gazetari që kishte dashur të bënte këtë shkrim ishte pushuar nga puna për shkak të trillimeve që kishte bërë. Sipas Berishës, shkrimi nuk do të publikohej asnjë herë sepse nuk ishte i vërtetë. Por tashmë që ky shkrim është botuar dhe lexuar pothuajse në të gjithë botën, Berisha duhet të japë shpjegime të tjera.
Edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nisi një hetim për këtë çështje. Të dhënat e para të këtij hetimi u publikuan nga "Shekulli" një ditë më pas. Publikimi i materialeve u shoqërua edhe me faksimile të dokumenteve që vërtetonin mbërritjen në Tiranë më datë 19 janar 2008 të oficerëve të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Michael Mentavlos dhe Ferdinand Vasquez, si dhe materialeve që u sekuestruan prej tyre.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nisur hetim për tregtinë e armëve
Kontrata e AEY për armët në Afganistan
TIRANË- Më 13 mars të vitit 2007, firmës amerikane "AEY Inc", me seli në Miami Beach, Florida i është dhënë një kontratë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, për dërgimin e një sasie municionesh në Afganistan. Kontrata me vlerë 48,717,553 dollarë, është pjesë e një kontrate gjigante prej 300 milionë dollarësh për pajisjen me armatime të Forcave të Sigurisë së Afganistanit. Përfundimi i kontratës me numër "Ë52P1J-07-D-0004" pritej që të ishte 30 dhjetori i vitit 2008, por aferat korruptive në vendin tonë e bllokuan për disa kohë këtë proces.Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka siguruar të dhëna se lëvrimi i kësaj kontrate kishte shumë probleme dhe menjëherë ka nisur një hetim për të. Problemi kryesor që SHBA ka pasur me këtë kontratë, duket se ka të bëjë me vjetërsinë e municioneve që MEICO u shiste atyre nga stoqet shqiptare dhe që rezultonin pjesërisht të papërdorshme. Nga hetimi ka rezultuar se firma amerikane "AEY Inc" ka marrë kontakte me qeverinë shqiptare dhe me firmën shtetërore "MEICO" për blerjen e një sasie të konsiderueshme municionesh luftarake nga vendi ynë dhe dërgimin e tyre në Afganistan. Por kjo kompani ka blerë fishekë me dyfishin e çmimit, pas përfshirjes së një personi të dyshimtë, të njohur si Heinrich Thomet në proces nga MEICO.Duke qenë se paratë janë dhënë nga shteti amerikan, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka ngulmuar që të zbulojë çdo detaj të kësaj çështjeje. Emri i Mihal Delijorgjit rezulton i implikuar edhe në të paktën dy kontrata të tjera të dyshimta që janë lidhur për këtë çështje.
REAGIMI
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë "NY Times"
TIRANË- Në të njëjtën linjë me kryeministrin ka reaguar dje edhe Ministria e Mbrojtjes, pas shkrimit të botuar në gazetën "NY Times". "Të gjitha deklarimet e bëra nga personat, që janë cituar në këtë artikull janë krejtësisht të paqena",-thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mesa duket ka marrë përsipër të përgënjeshtrojë në emër të dhjetra personazheve të cituara në shkrim. "Ministria e Mbrojtjes sqaron edhe njëherë se kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes me Pentagonin dhe kompaninë AEY është e ligjshme. Kjo kontratë është e miratuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Kjo kontratë është verifikuar edhe nga shërbimet inteligjente ushtarake dhe nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere",- thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Por nëse kjo është e vërtetë dhe shërbimet inteligjente kanë bërë verifikimet përkatëse, atëherë ato do të zbulonin edhe historinë e Henri Tomeit dhe aferat e tjera të dyshimta që erdhën më pas. "Sikundër jeni informuar, pasi Kosta Trebicka ka vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për disa shqetësime të tij, Ministri u ka kërkuar menjëherë autoriteteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë të bëjnë verifikimet përkatëse. Kjo kontratë ka rezultuar e vlefshme pas verifikimeve nga ana e autoriteteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, gjë e cila është e konfirmuar tashmë. Po ashtu është verifikuar edhe "Dokumenti i Plotfuqisë" që kompania AEY i ka lëshuar Evdin ltd. Nga të gjitha verifikimet ka rezultuar që kontrata dhe dokumenti i Plotfuqisë janë autentike dhe në përputhje të plotë me legjislacionet respektive. Po ashtu sqarojmë se raportet mes kompanisë AEY dhe Evdin ltd janë pjesë e marrëdhënieve mes këtyre dy kompanive, pjesë e investigimeve amerikane dhe jashtë sferës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë",- thuhet në njoftimin për shtyp.