JETA NË GËRDEC NË PIKËPYETJE?!
Shpërthimi në Gërdec, në kuptimin lokal, nuk është as më shumë e as më pak se Çernobili bërthamor, me ndryshimin se ky i fundit pati një ndikim më regjional dhe tjetra është se zbërthimi radioaktiv i lëndës së saj fosile vazhdon edhe sot të ndotë e të ndikojë në jetën mjedisore e të njerëzve, sidomos në drejtimet ku u shpërndanë të dy shtëllungat e saj, si ajo në drejtim të Triestes dhe tjetra në drejtim të Suedisë.
Gërdeci, natyrisht nuk do të ketë ndikim në sensin regjional, por janë të gjitha gjasat, nëse nuk do të ndërhyhet, që ai të vazhdojë të përcjellë fatkeqësi graduale në jetën e njerëzve. Më parë se të arrijmë tek ky përfundim, le të sqarojmë rrethanat, parametrat e dherave e të shkëmbinjve, si dhe elementet kimike të shkarkuara përgjatë djegies e shpërthimit.
Konkretisht, zonat si Gërdeci e Marqineti përbëhen për fat të keq, ndryshe nga Vora deri në Bërxull, nga shkëmbinj ranorë ose shtufe, siç e njeh këtë term populli, të cilët në sajë të porozitetit e përshkueshmërisë së lartë që kanë bëjnë, që ujërat sipërfaqësor të përthithen dhe të përcillen lehtazi drejt shtresave nëntokësore, ku në pozicione të caktuara gjeologjike dhe në thellësi të caktuara kthehen në basene ujëmbajtëse. Shkurt, në brendësi të tyre, falë përshkueshmërisë dhe disa vetive të tjera të shkëlqyera fiziko-mekanike bëhet e mundur kalimi i ujërave nëntokësorë në formë, pse jo dhe përrenjsh, nga ku marrin jetë respektivisht burimet, lumenjtë e liqenet e pashtershëm të sipërfaqes, prej të cilëve mbështetet jeta e gjallë njerëzore dhe natyrore në të gjithë trevën Gërdec-Maminas. Shpërthimi i municioneve ushtarake në një zonë të tillë, me ranorë me përshkueshmëri të lartë të rendeve 0,1-0,2cm/sek, bën të mundur me anë të shumë elementeve të rrezikshme kimike, të çliruar nga djegia e tyre që ujërat mbi e nëntokësorë të ndoten qysh në burim.
Duhet të kemi parasysh se lëndët eksplozive gjatë asgjësimit apo shpërthimit të tyre, kurrsesi nuk digjen totalisht edhe për faktin se asgjë nuk zhduket, por transformohet nga një lëndë në një lëndë tjetër. Në përbërje të barutit ndodhen squfur (S), karbon (C), nitrat kaliumi (KNO3), dhe në përbërje tek bombat e dorës dhe granatat ndodhen elemente të grupit të lantanideve, si p.sh. ceriumi, fulminati i mërkurit, të cilët krijojnë mbingopje të tretësirave, duke dhënë prej shkarkimeve një ndotje të mjedisit. Nga ana tjetër, dihet që dinamiti ka në përbërje të tij trinitro-toluol (TNT), si dhe acid klorpikrik, të cilët janë gjithashtu shumë të rrezikshëm për mjedisin dhe ujërat mbi e nëntokësorë. Ky tip ndotjeje nuk është si një ndotje fizike me baltë, ku uji do të kalojë nëpër shtatë zeje dhe do të filtrohet, e do të rrjedhë mandej i pastër. Kjo ndotje ndërhyn në vetitë fiziko kimike të ujit, duke e shndërruar atë me parametra të tjerë gjenetiko-strukturor, dhe shkëmbinjtë"zemërmirë" nuk e mposhtin dot këtë të keqe, mbasi uji qarkullon shpejt, për shkak të veçorive të sipërpërmendura.
Në këtë kuptim, Toka në Gërdec nuk është thjesht e zhuritur, si nga një pyll i zjarrosor, por mbi të gjitha, ajo është e helmatisur, e toksikuar. Më saktë, ajo sot duhet trajtuar si një "Hot Spot" i ri shqiptar, më e rrezikshme se ato që janë cilësuar të tilla deri më sot, si Arseniku Fier, Soda Vlorë, Sharra Tiranë, Fusha e naftës Fier, Bakri Rubik etj. Tokës së zhuritur deri më 50-60cm i shtohet përmbajtja e lartë e elementeve të rënda kimike, që bashkë shoqërojnë elementet e sipërpërmendura, çka bëjnë që toka t`i ketë në përbërje të saj ato, pothuajse në kg për kg, e jo siç i ka normalisht në mikro ose miligram për kg.
E kuptoni se tash e tutje në Gërdec, me çfarë dhéu kemi të bëjmë? E kuptoni se ku do të shkojë kjo ngarkesë e rëndë kimike? Drejt ujërave nëntokësorë, mandej drejt baseneve ujorë, mandej drejt puseve ujorë, pastaj drejt liqeneve artificialë sipërfaqësorë, pastaj drejt kanaleve vaditës, pastaj drejt bimëve, drejt njeriut e më në fund do të stopohen e sedimentohen drejt organeve të çdo trupi Gërdecari.
Aq më tepër, që kjo ndotje ndodh në elementin më kryesor të jetës, siç është uji, qëtrupi i njeriut e përmban në masën rreth 70%, që trupi i njeriut e kërkon shumë herë deri në sasi 4-5 litra në ditë. Pasojat në shëndetin njerëzor, që lidhen me ndotjet ujore tashmë po vërtetohen dita ditës. Një gjë duhet fiksuar fort. Ne nuk duhet të presim të helmohemi në çast nga përdorimi i një lënde çfarëdo qoftë ajo, që ajo të quhet e ndotur, sepse kështu i bie, që peshku në lumin Osum të Beratit nuk ishte i helmatisur, meqenëse njerëzit që e konsumuan atë, nuk pësuan për rastin përkeqësim të shëndetit. Por, lënda e ndotur, përqendrimet e elementeve kimike të rrezikshme për shëndetin i ka në gjendje toksike të tilla që, njeriu e shquan atë nga gjendja e helmët, por nuk e shquan dot nga mosndotja, dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj saj, si domosdoshmëri për të jetuar e bën që ta marrë gradualisht dhe ta sedimentojë në gjak apo mishin e vet, derisa ajo të bashkëveprojë me qelizat e lira kancerogjene që "bredhin" në trup dhe si barëra të këqija presin lëndë të huaja për t`u ushqyer, dhe pastaj mbasi shumohen e dinë ato se si luftojnë antikorpet e trupit. Le të kthehemi tek shteti dhe mjedisi.
Në këtë mënyrë, ndihma si shtetërore apo mbarë njerëzore nuk duhet parë thjesht si një mobilizim për të ngritur një shtëpi të re, por mbi ç`truall do të fillojë kjo jetë e re. Në një kuptim tjetër nuk është vetëm ç`minimi që zona të quhet e krehur, por përgatitja e rajonit Gërdec-Maminas, me anë të studimeve, planeve rregullues të territorit, projekteve të ç`kontaminimit të dherave pedologik dhe të ujërave nëntokësorë, deri në dorëzimin e tij me infrastrukture mbi e nën tokësore të aftë për një jetë të re. Ndryshe do të harxhojmë më shumë, ndryshe do të kemi Gërdecë të tjerë, sigurisht të ngadalshëm.