E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë gënjejnë, përveç Berishës?!

"Gërdeci" në historinë politike të Shqipërisë do të mbahet mend edhe si tragjedia që ndau përfundimisht nga mbështetja elektorale për lidershipin aktual, atë pjesë të shqiptarëve, të cilët gjatë viteve të fundit janë treguar rezistues në mbështetje mëdyshëse për Sali Berishën. Leximi jo thjesht politik, i mijëra reagimeve publike të ditëve të fundit, lë të kuptosh lehtësisht zhgënjimin e madh edhe tek ata, të cilët kanë gjetur përherë argumente për të shfajësuar gabimet, gafat, papërgjegjshmëritë apo korrupsionin e liderit të tyre historik. Tashmë nuk kanë ngelur shumë fjalë në mbrojtje të tij. Ndoshta edhe për shkak të përpjekjeve të dukshme të Berishës, për t'u sjellë gjatë këtyre viteve jo si lider kalimtar politik, por si personazh që i pëlqen të drejtojë nga pozita pak a shumë prej heroi, dukja e tij e ditëve të fundit, lë shumë për të dëshiruar. Përpjekjet e përditshme për të mbuluar gënjeshtrën e djeshme me një gënjeshtër të re, i kanë dhënë kryeministrit të sotëm, pamjen e një burreci që fshihet pas gishtit.

Jo vetëm pse bie vetë brenda në gënjeshtrat e tij (Anatol Frans këshillonte gënjeshtarët që të mos jepnin kurrë hollësi kur gënjenin), por edhe sepse kësaj radhe, "Ai" që është dalluar përherë për "mbrojtje të besnikëve", pas Gërdecit,është i gatshëm të hedhë poshtë këdo. Për të shpëtuar kokën e vet? Koha do ta tregojë qartë pse-në, gjithsesi ajo që dimë tani është që tmerri i Gërdecit, nuk na mbërriti rastësisht.

Prej kohësh e veçanërisht vitin e fundit, Tirana gumëzhin nga përfoljet për implikim të kryeministrit dhe familjarëve të ngushtë të tij, në prapaskenën e pothuajse çdo tenderi a çdo vendi ku mund të bësh para të shpejtë nëpërmjet komisioneve a gjobave. Kabineti qeveritar gjithashtu është nën akuza të hapura apo ende gjysmë të fshehura për përfshirje në afera korruptive të rënda. Kjo përfolje për korrupsion që ka ardhur në formë orteku sa më shumë ditë që konsumon kjo qeverisje, është edhe arsyeja pse në këto ditë edhe makina e propagandës e kryeministrit Berisha gjendet ne krizë idesh.

Hidhen teza pas tezash për Gërdecin. Janë gati të betohen edhe për një atentat të UFO-ve atje, por kurrsesi të pranojnë implikimet dhe përgjegjësit që duken sheshit. Disa prej këtyre tezave janë vërtet qesharake, dhe nuk ngjisin as tek mbështetësit e deri djeshëm e jo më në publikun e gjerë. E para, sepse disa janë ezauruar njëherë që në 97-tën dhe e dyta sepse askush s'mund ta besojë se "Ai" njeriu, që në këto vite ka ndarë me ne lloj-lloj informacionesh intime për kundërshtarët e vet të momentit, të mos dijë asgjë për një aferë skandaloze në dyert e Tiranës.

Ditët e fundit, të konsumuar në strategjitë mbrojtëse që ndërrohen me shpejtësi dhe ecin paralelisht me gjetjen e përditshme dramatike të kufomave të tjera në Gërdec, këshilltarët e kryeministrit e nxorën dhe mbrojtjen e radhës. Për çudi, është e njëjta që përdori edhe F.Nano në vitin 2005, ku para zgjedhjeve thoshte: "Unë mund të jem i papërgjegjshëm e i korruptuar, por po të iki unë, do t'ju vijë Berisha...

Sipas kësaj strategjie të ditëve të fundit, e vetmja alternativë që i ka ngelur Berishës për të përfunduar mandatin, është të thotë që socialistët që u larguan nga pushteti më 2005 janë njëlloj të korruptuar e të papërgjegjshëm, si edhe qeveria që drejton ai vetë.

Nëse në këtë sjellje, ka një attachment këshillues, konkluzioni që mund të nxjerrësh është se niveli i njerëzve që i kanë ngelur afër Berishës është për të ardhur keq. Ka shumë mundësi që radhët e lëna bosh nga personat me integritet e aftësi, të cilët i janë larguar gjatë dy viteve të fundit kryeministrit (ikjet kanë qenë thuajse të përmuajshme, duke nisur që në javët e para të qeverisjes) po mbushen nga kokëboshë ekstremistë apo persona pa skrupuj, të cilët nuk i kanë aftësitë e nevojshme për të qenë pjesë e ekipit që merr përsipër drejtimin e vendit. Për më tepër, shanset që ekipi të përmirësohet janë minimale, pasi Berisha përherë është treguar stoik në vazhdimin e një drejtimi të caktuar (pa marrë parasysh interesat e përgjithshme) kur ky drejtim në planin e ngushtë personal është përfitues. Por a kemi mundësi t'i kursejmë vetes e vendit 1 vit tjetër moszhvillim, a ndoshta regres..??? Nuk është një përgjigje që mund të kthehet në prill.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›