Karta e studentit – Nisin aplikimet nga studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi”

Aplikimet e para për Kartën e Studentit kanë nisur zyrtarisht në Bashkinë Shkodër, ku është hapur edhe zyra e posaçme për aplikim fizik pranë sportelit të dedikuar.
“Çdo i ri që studion në qytetin e Shkodrës ka të drejtë të pajiset me kartën e studentit, një mjet i rëndësishëm i cili lehtëson jetën studentore dhe jep shumë avantazhe për të rinjtë dhe studentët në qytetin e Shkodrës”, u shpreh Edita Shoshi, Drejtore e Përgjithshme Shërbimi Social Bashkia Shkodër.
Ky shërbim i ri u jep mundësi studentëve të aplikojnë jo vetëm përmes sistemit online, por edhe drejtpërdrejt në ambientet e Bashkisë, duke lehtësuar aksesin dhe përfshirjen e të gjithë të rinjve në këtë proces.
“Kjo kartë jo vetëm që i jep mundësi financiare studentëve por nga ana tjetër forcon bashkëpunimin ndërmjet Bashkisë Shkodrës, universitetit dhe komunitetit të biznesit. Studentët do të kenë përfitime financiare në tarifa, nga shërbimet e ndryshme që ofron bashkia etj”, tha Kleida Heta Tufi, Drejtore e marrëdhënieve me publikun dhe studentët.
Eriseldi Vrina dhe Xhulia Krahi janë dy prej studentëve që kanë aplikuar për tu pajisur me kartën e studentit.
Përmes Kartës së Studentit, studentët do të përfitojnë më shumë se 100 lehtësira në të gjithë vendin, me zbritje deri në 70% në biznese partnere, si dhe shërbime falas.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/