E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 1,000 pasagjerë izolohen në anijen turistike pas shpërthimit të gastroenteritit

Më shumë se 1,000 pasagjerë janë mbajtur të izoluar në një anije turistike britanike në portin e Bordeaux në Francë, pasi dhjetëra persona u prekën nga një sëmundje gastrointestinale.

Autoritetet shëndetësore franceze konfirmuan se 49 persona në bordin e anijes “Ambition”, e operuar nga kompania britanike Ambassador Cruise Line, kanë shfaqur simptoma si të vjella dhe diarre. Tre pasagjerë janë izoluar në kabinat e tyre, ndërsa zbarkimi i të gjithë pasagjerëve është pezulluar si masë paraprake.

Në bord ndodhen 1,187 pasagjerë dhe 514 anëtarë ekuipazhi. Anija ishte nisur nga Belfasti më 8 maj dhe më pas kishte ndaluar në Liverpool, ku sipas operatorit u raportua rritje e rasteve të sëmundjes.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se një burrë 92-vjeçar ndërroi jetë në bord të dielën, por sipas saj ai nuk kishte simptoma të lidhura me shpërthimin gastrointestinal dhe shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.

Pasagjerët aktualisht lejohen të përdorin vetëm disa ambiente të anijes, ndërsa personat me simptoma po qëndrojnë të izoluar. Një ekip mjekësor francez ka hipur në anije për të marrë mostra dhe për të vlerësuar situatën, ndërsa analizat laboratorike pritet të zgjasin të paktën gjashtë orë.

Autoritetet franceze theksuan se nuk ka asnjë lidhje mes këtij incidenti dhe rasteve të raportuara më parë të hantavirusit në një tjetër anije turistike.

Operatori i anijes tha se janë forcuar masat e higjienës dhe dezinfektimit në të gjitha ambientet publike, ndërsa pasagjerëve u është kërkuar të raportojnë menjëherë çdo simptomë tek ekipi mjekësor në bord.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›