E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Eurovision Song Contest 2026, Martin Green: Asnjë manipulim nuk do të ndikojë rezultatin e festivalit

Drejtori i Eurovision Song Contest 2026, Martin Green, deklaroi se organizatorët po monitorojnë “me shumë, shumë kujdes” modelet e votimit, pas shqetësimeve të ngritura për ndikimin e mundshëm të Izraelit në rezultatet e konkursit të vitit të kaluar.

Disa transmetues evropianë pretenduan se postimet në rrjetet sociale nga llogari të lidhura me qeverinë izraelite, të cilat inkurajonin publikun të votonte disa herë për këngën izraelite, mund të kenë ndikuar në rezultatet finale. Green pranoi se “disa promovime nga disa transmetues ishin paksa të tepruara”.

Për shkak të debatit, European Broadcasting Union ka rishikuar procedurat e votimit për edicionin e këtij viti dhe paralajmëroi se çdo shkelje e rregullave do të shqyrtohet me seriozitet.

Transmetuesi izraelit Kan ka marrë tashmë një paralajmërim zyrtar pasi artisti i tij publikoi video duke u bërë thirrje fansave të “votojnë 10 herë për Izraelin”. Organizatorët thanë se postimet nuk ishin në “frymën e garës” dhe kërkuan heqjen e tyre.

I pyetur nëse Izraeli mund të përballet me skualifikim në rast shkeljesh të tjera, Green tha se organizatorët preferojnë dialogun dhe zgjidhjen miqësore të problemeve, pa kaluar menjëherë në sanksione.

Ndërkohë, Izraeli u kualifikua për finalen e madhe të këtij viti nga gjysmëfinalja e parë e mbajtur në Vjenë, por rezultatet e plota të votimit do të publikohen vetëm pas finales.

Kontestimet nisën pas konkursit të vitit të kaluar, kur Izraeli dominoi votimin e publikut, duke marrë 83% të pikëve nga televotimi, ndërsa fituesja Austria mori vetëm 41%. Raportet mediatike pretenduan se një agjenci reklamuese izraelite kishte financuar fushata online për të nxitur votimin masiv.

Pas kësaj, EBU miratoi rregulla të reja si kufiri maksimal i votave u ul nga 20 në 10 dhe u vendosën kontrolle më të forta për votimin online, përfshirë kërkesën për të dhënat e kartës së kreditit për verifikim.

Pavarësisht kritikave, Green theksoi se sistemi i votimit të Eurovisionit mbetet “i drejtë, i sigurt dhe transparent”, duke shtuar se përpjekjet për manipulim nuk do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar citon BBC.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›