E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkesa për shkarkim, Gjiknuri: Peleshi mbrojti rendin kushtetues

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, paraqiti sot raportin e Partisë Socialiste, ku kërkoi rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Gjiiknuri, relatori i çështjes, teksa paraqiti raportin, tha se nuk provohet asnjë shkelje nga ato që pretendon Partia Demokratike. Gjiknuri tha se “ligji me rregulloren nuk mund të barazohen”.

“Gjykata Kushtetuese thotë se Rregullorja e Kuvendit është akt sovran i brendshëm normativ i Kuvendit dhe e shtrin efektin vetëm brenda anëtarëve të Kuvendit. Nuk është ligj”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri foli edhe për pretendimin e tjetër të opozitës, për fjalimin e “Diellës”, se “pse Kryeministri provokoi sallën kur paraqiti programin qeveritar”.

“U provokuat se Kryeministri foli nëpërmjet ministres “Diella”. Kryeministri në fjalën e tij përdori edhe mjete ndihmëse teknologjike. Kryeministri në dekretin e Presidentit, ka thënë: “Jam përgjegjës për ngritjen e Ministrisë të programit që në këtë rast quhet “Diella””, mund të quhej “Manhatan Projekt”.

“Kryeministri merr përgjegjësinë e një sektori qeveritar: Inteligjenca Artificiale, formë moderne e komunikimit për këdo që do të dëgjojë. Çfarë të keqe ka këtu? Po si ka mundësi që katandiset forca më e madhe opozitare, luftë ndaj Inteligjencës Artificiale – ludizmi modern e kam quajtur. Pengohet zhvillimi i teknologjisë.

“Por, ju mund të ngrini pyetje që kush është përgjegjës për këtë, çfarë algoritmi do përdorni, kush do të jetë ekipi, sa do të jetë kosotoja dhe buxheti. Ju bëni zhurmë, në vend që të kundërshtoni dhe argumentoni me fjalë. Madje njëri nga deputetët e opozitës tha që “disa prej nesh nuk donin t’i binin me grusht tavolinës, donim debat parlamentar”. Pra, është cenuar një pakicë”, tha Gjiknuri.

Sipas Gjiknurit, Peleshi “ka mbrojtur rendin kushtetues”.

Sipas raportit të PS-së, “kërkesa e 36 deputetëve për shkarkimin e Peleshit, nuk plotëson kushtin substancial, pasi jo vetëm që nuk ka shkelje Kushtetuese, por nuk provohet asnjë shkelje për sa pretendohet në kërkesë”.

“Kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare”, thuhet në raport.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Gjiknuri kërkoi rrëzimin e kërkesës së PD-së dhe mbështetjen për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sipas PS-së “nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe as të Rregullores së Kuvendit, duke kryer çdo funksion në respektim të parashikimeve kushtetuese dhe atyre ligjore”.

Kuvendi në Seancë Plenare - Foto Andrin Hoxha 1 nga 22

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›