Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” nis fushatën nga sheshi “Nënë Tereza”

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Opozita ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Në hyrje të bulevardit që të çon drejt podiumi për prezantimin e kandidatëve për deputetë të opozitës janë vendosur 11-të 1-sha që simbolizojnë edhe numrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërriti në sheshin “Nënë Tereza” krah drejtuesit të fushatës Chris LaCivita, të cilët u pritën me brohorima nga mbështetësit që mbanin flamujt shqiptarë, të SHBA-së dhe të BE-së.
Takimi elektoral nisi me prezantimin e të gjithë kandidatëve për 12 qarqet e vendit dhe vijoi me fjalën hapëse nga anëtari i FRPDSH, Oresti Berberi i cili u shpreh se “Partia Demokratike nuk është thjesht një logo, një seli, një emër – ajo është zemra e shqiptarëve të lirë. Ajo është forca e njerëzve që nuk u shitën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan. Është forca e rinisë që nuk trembet kurrë”.
“Ne u goditëm, por ne u ringritëm! U bashkuam, më të fortë, më të vendosur dhe më të pastër se kurrë më parë. Ne jemi njishat. Dhe si të tillë, nuk pyesim kë kemi përballë – do të rrëzojmë çdo hienë. Më 11 maj ne fitojmë për të gjithë ata që duan të jetojnë në këtë vend me dinjitet”, u shpreh ai.
Fjalë mbajti edhe një fermer nga Lushnja, Komi Furrxhi, i cili tha se “Sali Berisha i ka marrë kërkesat tona dhe i ka futur në programin e Partisë Demokratike, dhe unë dua ta falënderoj për këtë. Për Sali Berishën thuhen shumë gjëra. Disa të vërteta e disa jo. Por ajo që është gjithmonë e sigurt është se Sali Berisha po e tha fjalën, e mban. Unë i besoj programit të PD dhe fjalës së Sali Berishës. I besoj markës Made in Albania, sepse e di që kjo është e mundur. Qeveria në fuqi nuk e ka përparësi fermerin, nuk e do fshatarin e thjeshtë. Është e dhënë pas kullave, jo pas serrave”.
Ai tha se “unë kërkoj që shteti të më trajtojë si investitor, sepse unë investoj gjithçka që kam – djersën, kohën, kursimet e mia dhe të familjes. Kam dëgjuar që Sali Berisha thotë: “Fermeri është investitori strategjik i Shqipërisë”. E shoh që më në fund dikush po na dëgjon. Nafta pa taksa, TVSH zero për bujqësinë, subvencione për çdo fermer, ndihmë për të shitur prodhimet tona – këto nuk janë luks”.
Ndërkohë një tjetër folëse, Artjola Tabaku u shpreh se çmimet e apartamenteve në Tiranë u dyfishuan në vetëm 5 vite.
“Jam Artjola Tabaku dhe prej vitesh jetoj me qira! Jo se është turp të jetosh me qira – aspak! Është nder, sepse ia dalim vetë, me djersë dhe mund! Punojmë nga mëngjesi deri në darkë”, tha Tabaku.
“Planet i kishim që të kursenim disa vite për të mbledhur 20% të shumës së një apartamenti modest dhe pjesën tjetër ta merrnim me kredi në bankë. Mendonim se do ia dilnim. Por jo! Çmimi i një apartamenti modest gati u dyfishua në vetëm 5 vite!”, tha ajo.
Sipas Tabakut, “apartamente ka më shumë se kurrë! Por, popullatë – më pak se kurrë!”.
“Por familjen time të vogël e detyron të shohë drejt emigrimit. Me qira këtu, por pa shkolla dhe spitale. Me qira në Gjermani – por me shkolla dhe spitale! Kur dëgjova programin “Një çati për çdo çift”, mendova: “Ndoshta këtij rrethi vicioz do t’i vijë fundi!” Çdo çift i ri ka nevojë për mbështetjen e një kredie 30.000 euro me 0 interes që të arrijë të mbulojë 20% të shumës së një apartamenti. Unë me partnerin tim kemi nevojë!”, tha Tabaku gjatë fjalës së saj.
Më tej, mësuesja Alketa Lugaj u shpreh se “suksesi i nxënësve mbështetet kryesisht në ndihmën prindërore dhe kurset private, jo në cilësinë e shkollave publike”.
“Një nga arsyet e përkeqësimit të arsimit është politizimi i skajshëm. Drejtuesit e shkollave janë kthyer në komisarë politikë, patronazhistë që qëllim kryesor kanë shantazhimin e mësuesve për të siguruar vota dhe për të mbushur sallat me mësues e nxënës në takime politike”, tha Lugaj.
Ajo tha se “programi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës mishëron idealet e një arsimi modern dhe të drejtë. Me vizion, ambicie dhe dhembshuri kombëtare, paketa për arsimin është dëshmi se për shpresën duhen dije. Për shpresën duhet pasion. Për shpresën duhet dhembshuri. Buxheti për arsimin do të shkojë në 5% të PBB. Paga mesatare e mësuesit: 1300 euro/muaj. Paga minimale e pedagogut: 2000 euro/muaj. Shkolla 9-vjeçare pa klasa kolektive. Mbështetje sociale për familjet. Bursa për shpenzimet e jetesës. Shqipëria fillon nga dhembshuria. Askush më shumë se mësuesit nuk e mishëron atë. Pa të, nuk rrisim breza të së ardhmes. Me të, bëhet Shqipëria madhështore. Me dije, me dinjitet, me shpresë!”.
Më tej, drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike Chris LaCivita, tha se shqiptarët duhet të votojnë PD për ta bërë Shqipërinë madhështore sërish.
“Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë”, tha LaCivita.
“Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për dr. Berishën.
Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë”, tha LaCivita.
/a.f/r.e/