Rama: Mandati i katërt fitore gjeopolitike për shqiptarët, yllin e BE-së e kemi në dorë dhe të mos e lëshojmë

TIRANË, 11 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh se për herë të parë Shqipëria ka në dorë një mundësi historike reale dhe aktuale që të hyjë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, ndërsa theksoi se sot kemi në tavolinë planin për t’i mbyllur negociatat për dy vjet.
Në një takim sot me gratë dhe vajzat socialiste, Rama tha se PS në qeverisje e ngriti çdo vit e më lart emrin e Shqipërisë dhe pozicionin e flamurit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, aty ku nuk kishte qenë kurrë më përpara.
“Shkuam deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndërkohë që Tiranën e kthyem në pikën e referimit ndërkombëtar për rajonin dhe erdhën në Shqipëri për here të parë të gjithë udhëheqësit e BE-së në të parën mbledhje jashtë BE-së”, tha Rama.
Ndërkohë Rama kujtoi se në 16 maj, 5 ditë pasi shqiptarët të kenë hedhur pëlhurën rozë në gjithë Shqipërinë, në këtë sallë do jenë të ulur për shfaqjen e mirëseardhjes të gjithë udhëheqësit e të gjitha vendeve demokratike të Europës për Samitin e Komunitetit Politik Europian.
“Ndërkohë që në vitin 2027 te sheshi përballë do të zbarkojnë të gjithë udhëheqësit e Aleancës së Atlantikut të Veriut për Samitin e NATO-s në Shqipëri. Negociatat i hapëm dhe sot jemi aty ku as që mund të imagjinohej kur ne morëm detyrën”, tha Rama.
Sipas tij, “Shqipëria ishte një emër që i shkaktonte stres të huajve dhe vlerësohej më shumë si problem i Europës se sa si anëtar i mundshëm i familjes europiane”.
Rama tha se tashmë yjet janë rreshtuar në favorin tonë për herë të pare, sepse nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë sa më parë në BE, por është edhe BE që do të na marri në gjirin e vetë. “Prandaj po negociojmë si të çmendur për ta mbyllur në 3 vjet një proces që ka zgjatur shumë më tepër”, shtoi Rama, ndërsa kujtoi eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit.
Duke folur për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare në 14 prill, Rama u shpreh se “këneta” pretendoi se nuk ka më hapje kapitujsh të tjerë në procesin e negociatave.
“Para ca javësh doli këneta dhe tha se nuk ka më Konferenca, hapje kapitujsh të tjerë. Madje bufi tha se mua më kishin lënë pa ngrënë se isha sjellë si bandit. Sot u publikua data 14 prill për Konferencën e katërt Ndërqeveritare dhe do hapim një seri të tjerë kapitujsh”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot Shqipëria bashkë me Malin e Zi konsiderohen dy vendet më pranë hyrjes në BE, ndërsa Serbia që ishte shumë para, sot është prapa nesh.
Rama tha se tashmë Partia Socialiste nuk synon mandatin e katërt vetëm si një fitore numerike, por si një fitore gjeopolitike në të mirë të Shqipërisë e të shqiptarëve.
“Për të hyrë në BE na duhet një mandat i katërt jo numerikisht, por që të jetë më i fortë se tre mandatet e mëparshëm. Ky është ylli jonë në BE sepse e kemi në dorë. Këtë yllin që na ka ardhur në dorë ne nuk do e kthejmë, por do e mbajmë fort dhe ta çojmë atje”, nënvizoi kreu i PS, Edi Rama.
/a.f/