E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Dyfishojmë mbështetjen për nënat e fëmijëve me aftësi speciale, në spitalin e Korçës kantieri ynë vë dorë pas 100 vjetësh

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama tha gjatë takimit sot me gratë socialiste se buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale është 1 miliard euro, ndërsa është trefishuar buxheti i ndihmës ekonomike, katërfishuar buxheti për shërbimet e kujdesit shoqëror, ndërsa janë financuar 84 shërbime të reja sociale nëpërmjet Fondit Social për rreth 44 mijë përfitues.

“Kemi krijuar programin e veçantë për mbështetjen me subvencione të kontributeve shëndetësore dhe shoqërore për gati 10 mijë nëna të papuna me tri dhe më shumë fëmijë, për të cilat kemi financuar deri tani 25 milionë euro. Prandaj, kemi krijuar dhe fuqizuar në vazhdimësi programin e Bonusit të Bebes duke mbështetur gati çerek milion fëmijë të vegjël, bebe me një vlerë që ka arritur 170 milionë euro”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se në mandatin e katërt do të zgjerohet rrjeti i shërbimeve sociale me 40 shërbime të reja sipas hartës së nevojave territoriale, ndërsa do të krijohen 20 ndërmarrje sociale ku do të punësohen gratë dhe vajzat në nevojë.

Kreu i qeverisë ndau gjatë fjalës së tij, ndau edhe një tjetër lajm të mirë siç e cilësoi ai, faktin që do të rritet deri dyfish mbështetja financiare për nënat e fëmijëve autikë apo me aftësi speciale.

Kryeministri pohoi se janë ndërtuar 53 spitale, nga këto 10 tërësisht të reja, që nuk kanë ekzistuar, 43 të tjerët janë shembur komplet dhe janë bërë nga e para. “Dhe kur ke përballë ose nga mbrapa specie që kua-kua-kuojnë për shëndetësinë, lind një pyetje: Na tregoni kur është ndërtuar në Shqipëri spitali i fundit përpara se ne të merrnim detyrën? Duhet të hedhim vështrimin shumë vite më parë, në vitet ’70, të zbresim në vitet ’60 të kalojmë në vitet ’50, të kalojmë Luftën, se nuk është aspak humor. Në spitalin e Korçës, kantieri ynë vë dorë pas 100 vjetësh”, pohoi Rama.

Kryeministri nënvizoi faktin se programet e vaksinimit, depistimit, shërbimet e kujdesit para dhe pas lindjes, fertilizimi invitro si edhe programet e mbështetjes për të gjitha nënat dhe vajzat që përballen me kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës janë programe të cilat u kanë ndryshuar jetën shumë njerëzve, shumë grave dhe vajzave.

“E mira jonë është që këta nuk i kemi përballë, por i kemi shumë mbrapa. Përpara kemi sfidat tona dhe horizontin Shqipëria 2030 në BE, ndërkohë që ata nuk normalizuan dot një maternitet të vetëm, ku mos të të vinte zor dhe për të vjellë nga stresi, kur duhej të kapërceje pragun dhe ku lavdi Zotit kishte dhe ka mjekë, mami, heronj dhe heroina, se unë nuk e di ku e gjejnë kurajën, ndërkohë që sot ne kemi gjashtë maternitete tërësisht evropiane, dhe së shpejti do të hapim dyert e një vepre të re në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, që është një strukturë që tregon në të gjitha anët vlerësimin, ndjeshmërinë dhe respektin tonë për gratë e vajzat”, cilësoi Rama.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›