Koçiu: Alarmet e rreme për bombë në shkolla, “çmenduri kriminale” që duhet refuzuar nga shoqëria

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi sot ndaj alarmit të rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen një akt të rëndë dhe të papranueshëm, veçanërisht në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Koçiu theksoi se një alarm i tillë, në një moment kur oborret e shkollave janë të mbushura me fëmijë, nuk mund të konsiderohet as shaka dhe as një test për Policinë e Shtetit.
“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur”, u shpreh ajo.
Zëvendëskryeministrja e cilësoi këtë sjellje si “një çmenduri të mirëfilltë kriminale”, duke kundërshtuar edhe justifikimin e veprimeve të tilla në emër të lirisë së shprehjes.
Sipas Koçiut, sjellje të tilla dëmtojnë edhe protestën dhe hapësirën publike, ndërsa theksoi se ndaj autorëve duhet të veprojë ligji.
“Ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura”, deklaroi Koçiu.
Në përfundim, ajo bëri thirrje për një qëndrim të përbashkët shoqëror kundër këtyre rasteve, duke theksuar se refuzimi i sjelljeve të tilla duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë.
/r.e/a.f/