Jemeni i droguar
Të paktën gjysma e popullsisë është e varur nga një lloj droge, ‘qat‘, që fillimisht të stimulon dëshirën seksuale dhe më pas të jep një ndjesi mirëqenieje. Por nëse përdoret gjatë, shkakton impotencë, ose më keq, kancer. Pavarësisht alarmeve të shumta, burrat dhe gratë e konsumojnë pafund këtë substancë narkotike, e cila zhvillon një ekonomi perverse
Gjëja e parë që të bie në sy kur shëtit në një treg të tillë janë sytë e njerëzve. Në fillim të duket sikur po të shikojnë vazhdimisht pa t‘i ndarë sytë, sa që të bëjnë të ndihesh në siklet. Por në fakt shumë e shpejt e kupton se ato shikime, në të vërtetë nuk po shohin në asnjë drejtim. Kanë humbur në zbrazëti, të rrëmbyer nga e njëjta harresë që ka mbështjellë qindra burra të çdolloj moshe, të shtrirë përdhe ose të mbledhur kruspull në rrugë.
Çdo herë dikush që kalon këtu ndalon, duke provokuar ndonjë debat të vogël shoqëruar nga shumë gjeste me këmbë e duar. Më pas në vend bie sërish qetësia. Duke i parë kështu, të strukur nëpër cepa, duken si ushtarë të dalë nga ndonjë përrallë ekzotike. Deri tani, aktiviteti i tyre është më shumë se profan. Këta njerëz nuk janë gjë tjetër, veçse tregtarë të thjeshtë të mbushur me emocione dhe malli që tregtojnë është një substancë narkotike, ‘qat‘, e cila prej shumë kohësh është pjesë përbërëse e historisë, shoqërisë dhe ekonomisë së kësaj pjese meridionale të gadishullit arabik.
Është një substancë që përmban të njëjtat ngjashmëri me drogën dhe që vepron, kur përtypet, si një stimulues për trupin dhe mendjen: euforia merr këmbë, duke rritur dëshirën seksuale, ndërkohë që një ndjesi relaksi përshkon gjithë trupin. Jo rastësisht nga këto anë është edhe një lloj kalimi kohe. Nëse kudo në botë ato që dominojnë janë alkooli, opiumi, marijuana dhe produktet e tjera sintetike, në këtë vend, ‘qat‘-i është mbretëresha e drogave. "Sundimi" i saj shtrihet nga Etiopia (nga ku ka dhe origjinën), në të gjithë Afrikën Lindore e duke arritur deri më Detin e Kuq, Sana‘a, Hodejdah, Aden dhe Mullaka.
Për t‘i përshkruar efektet, banorët e vendit ngrenë gishtin tregues të dorës dhe e rrotullojnë lart ëmbëlsisht drejt tjetrit. "Është pak si whisky", thotë një tregtar nga qendra e Sana‘a-s. "E përtyp sepse në të njëjtën kohë më bën të ndihem aktiv dhe më çlodh. Në të vërtetë është pjesë e kulturës dhe traditës sonë. Është një justifikim për të fiksuar një takim me dikë dhe për të kaluar kohën. Nuk mund të bëjmë dot pa të dhe mbi të gjitha është perfekte në momentin që do të shtrihesh për të "fjetur" me gruan".
Çdo vend ka të paktën një treg dhe çdo treg është mjaft tërheqës. Rituali nis pas drekës, në orët më të nxehta të ditës, kur gjethet e freskëta vijnë nga plantacionet dhe përfundojnë nën banakët e lokaleve ose nën mbulesat e mëdha të shtruara nëpër rrugë. Gjithçka duhet bërë me shpejtësi, sepse me kalimin e orëve, "qat"-i thahet dhe efektet e tij humbasin. Pastaj, dihet që marka më e mirë është ajo që mbaron më shpejt.
Rreth orës dy të drekës mijëra njerëz fillojnë të rimbushin rrugicat e ngushta, duke u sjellë rreth mallit. Në ajër përhapet aroma e tij. Në rrugë janë zgjatur një palë duar eksperte që kontrollojnë gjethet, duke i ledhatuar me dashuri sikur të ishin trëndafila të kuq e duke kërkuar më të mirën mes tyre. Në harkun kohor të disa orëve, një komb i tërë përtyp këtë lloj droge duke e shoqëruar me një filxhan çaj. Dyqanxhi, biznesmenë, ushtarë e policë në shërbim, peshkatarë, e njerëz të thjeshtë: Qat-i nuk njeh dallim shoqëror. Të gjithë vërdallisen nëpër qytet me bulçi të fryrë, duke shijuar në maksimum efektet e bimës.
Në vitin 1980, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar ‘qat‘-in mes drogave që kanë varësi. Në fakt, kjo lloj droge është e paligjshme pothuajse në të gjithë Evropën, përveç Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e në Amerikë, pasi përbërësit që gjenden në bimë figurojnë në listën e zezë të substancave tabu.
Në Jemen, ‘qat‘-i ka gjetur një nga ishujt e rrallë të ligjshëm në botë. Në fakt, këtu blerësit nuk janë banorët e Jemenit. Para banakëve të tregut të Adenit, qyteti kryesor i jugut, qëndron një meso burrë rreth të 40-ve. Ka ardhur nga Salalah së bashku me kushëririn e tij. Kanë udhëtuar dy ditë rresht, sepse dëshironin të provonin medoemos shijen e ‘qat‘-it. "Nga anët tona kjo lloj droge është e ndaluar. Në fakt, gjithmonë kam dashur ta provoj. Disa miq më kanë thënë se është një afrodiziak i fuqishëm. Është vërtet kështu?".
Dyzetvjeçari nuk është personi i vetëm që ka ardhur nga larg për ta provuar. Arabët vijnë deri nga shkretëtira këtu duke udhëtuar me makina fuoristrada për të njohur cilësitë e bimës. Në Mekë dhe zonat përreth saj kjo substancë është e ndaluar, sepse bie në kundërshtim me parimet e islamit. Dhe ndoshta është më mirë kështu, sepse si çdo drogë në çdo shoqëri, ‘qat‘-i po e shkatërron dalëngadalë Jemenin duke i shkaktuar dëme të vërteta në të gjithë sektorët e vendit. Me kalimin e shekujve dhe rritjen e popullsisë, ky fenomen po pakëson rezervat e ujit të vendit më të varfër në gadishullin arabik, që numëron plot 7 milionë përdorues, pak a shumë sa gjysma e popullsisë. Sipas të dhënave të sakta, për kultivimin e kësaj droge kujdesen 90% e banorëve. Në vitin 2005 tokat e mbjella me ‘qat‘ arritën në 120 mijë hektarë, pra një rritje prej 12% në vit. Shoqata për luftën kundër ‘qat‘-it, tregon se në të gjithë Jemenin numri i pemëve ka arritur në 40 milionë.
"Është normale. Sigurisht që me ‘qat‘-in mund të fitosh më shumë sesa me fruta e perime. Nuk ka asgjë për t‘u habitur nëse kultivuesit e zgjedhin për të pasur më shumë përfitime", pohon një specialist i agrikulturës. Në fakt, gjethet magjike nuk kushtojnë pak. Disa gjethe të cilësisë mesatare kushtojnë 1500 rial (3 euro). Nëse cilësia është më e mirë edhe çmimi rritet, dhe disa gjethe kushtojnë nga 20-30 euro. Por përveç "vlerave" të mira, ‘qat‘-ti ka edhe cilësi të këqija, duke ndikuar negativisht në shendin e banorëve të Jemenit. Përtypja e tij për një kohë të gjatë e të vazhdueshme shkakton impotencë, përveç një sërë sëmundjesh të rënda si tumor në gojë ose në fyt dhe shqetësime nga më të ndryshmet. Megjithatë, duket se në Jemen shumë pak njerëz janë të shqetësuar vërtet mbi këtë fakt, i cili përkeqësohet dita-ditës.