Kombëtarja shqiptare niset drejt stadiumit, “fanella e fatit” në sfidën ndaj Polonisë

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit ka lënë hotelin ku qëndron prej ditës së djeshme dhe është nisur drejt stadiumit “PGE Narodowy” në Varshavë, ku sot nga ora 20:45 luan ndaj Polonisë në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026.
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndarë një video nga dhomat e zhveshjes, teksa, të kuqtë do të zbresin në fushë me fanellën e zezë, e njohur si “fanella e fatit”, me të cilën janë arritur disa nga sukseset më të mëdha të historisë së ekipit kombëtar.
Brenda dhomës së zhveshjes gjithçka është gati për ndeshjen vendimtare, ndërsa atmosfera në stadium duket e përgatitur për pritjen e tifozëve.
“Gjithçka gati në dhomat e zhveshjes, shqiponjat priten në stadium”, është mesazhi i FSHF.
Polonia konsiderohet favorite për shkak të avantazhit të fushës, por Shqipëria synon të tregojë performanca pozitive dhe të sfidojë historikun e përballjeve mes dy skuadrave.
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se të gjitha biletat për sektorin e tifozëve shqiptarë janë shitur, duke garantuar mbështetje të fortë edhe në transfertë.
Ndeshja e sotme konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit 2026, me kuqezinjtë që synojnë të hedhin një hap të madh drejt realizimit të ëndrrës së madhe, ndërsa takimi do të drejtohet nga arbitri anglez Anthony Taylor.
/gj.m/r.e/a.f/