E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm miraton tre projektligje, Hasani: Forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot tre projektligje të rëndësishme, të cilat synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kryetari i këtij komisioni, Igli Hasani bëri të ditur se projektligji për aderimin e Shqipërisë në Memorandumin e Mirëkuptimit për Kontrollin Shtetëror Portual në Rajonin e Mesdheut (Maltë, 11 korrik 1997) forcon bashkëpunimin rajonal për sigurinë portuale dhe kontrollin e anijeve.

Një tjetër projektligj i miratuar sot është edhe ai për pranimin e ndryshimeve të statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (krimi i agresionit).

Hasani u shpreh se ky projektligj përafron legjislacionin shqiptar me standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale.

Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi po ashtu edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Huas me Bankën Botërore për financimin e programit
“Aftësia Ripërtëritëse dhe Zhvillimi i Gjelbër – Hua e Dytë për Politikat e Zhvillimit”.

Hasani u shpreh se ky projektligj jep mbështetje konkrete për reformat ekonomike dhe sociale në vend.

“Tre hapa që tregojnë seriozitetin e Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, i cilësoi Hasani miratimin e këtyre projektligjeve në komision.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›