Vlorë, tritol afër konsullatës italiane
Shpërthimi i një sasie tritoli ka përcjellë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme panik në lagjen Harjro Cakërri. Ngjarja ka ndodhur vetëm disa metra larg konsullatës italiane. Ka qenë ora rreth 22.30 kur është dëgjuar zhurma e shpërthimit. Sasia e eksplozivit, e cila ka qenë rreth 150 gram, ishte vendosur në një nga rrugicat e ngushta të lagjes, fare pranë disa banesave. pas shpërthimit është dëmtuar një pjesë e rrugës, dhe fatmirësisht nuk ka patur dëmtime të tjera.
Ekspertë të policisë të mbërritur në vendngjarje kanë marrë të gjitha provat, si dhe më pas kanë marrë dëshmitë të ndryshme, në kuadër të hetimit për një objektiv të mundshëm. Por siç bëjnë me dije burimet, nuk ka patur konflikte të ndryshme nga banorët përreth, çka nuk ka ndihmuar të arrihej te ngrihet nje piste.
Po sipas këtyre burimeve i dyshuar është një adoleshent, i cili nuk përjashtohet edhe te ketë provuar shpërthimin në këtë zonë. Ende nuk ka të ndaluar për ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të vënë para përgjegjësisë autorët e shpërthimit.