E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni për “Zgjedhoren”, Gjiknuri: Pas pak ditësh publikojmë propozimet për anëtarët. Fokusi i parë, ligji për financimet

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot nga jashtë ambienteve të Kuvendit se të gjitha partitë politike, përfshirë edhe ato me vetëm një mandat deputeti, do të kenë të drejtën të marrin pjesë dhe të japin propozime në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Ndryshe nga herët e tjera, ndoshta edhe për shkak të numrit të lartë të partive në Kuvend, ne i kemi dhënë të drejtën të gjitha partive, edhe atyre që kanë nga një mandat, të marrin pjesë në komisionin zgjedhor dhe të kenë të drejtën e propozimeve. Thjesht, nuk janë anëtarë formalë të komisionit, por asgjë nuk i pengon për të qenë me të drejta të plota, njësoj si partitë e tjera,” tha Gjiknuri.

Ai theksoi se qëllimi është të krijohet një komision funksional dhe gjithëpërfshirës, duke ruajtur traditën e bashkëpunimit me ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias në procesin e reformës.

“Do ta trajtojmë procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke pasur të gjitha palët dhe duke ruajtur traditën e marrjes së ekspertizës ndërkombëtare,” shtoi ai.

Sipas Gjiknurit, brenda pak ditësh pritet të bëhen publike propozimet për anëtarët e komisionit, i cili do të nisë menjëherë nga puna.

Fokusi i parë i komisionit, sipas tij, do të jetë rishikimi i ligjit për financimet e partive politike një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian dhe pjesë e agjendës së integrimit të Shqipërisë.

“Fokusi i parë do të jetë ligji për financimet, meqë është kërkesë e BE-së dhe pjesë e agjendës së integrimit. Ka nevojë për t’u adresuar me prioritet,” theksoi Gjiknuri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›