E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Qeveria toleron kontrabandën e cigareve

Plot 30 milionë dollarë konsiderohet dëmi financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga kontrabanda e cigareve në vitin 2007. Ky është konstatimi i djeshëm i Partisë Socialiste, e cila e cilësoi të dështuar luftën kundër korrupsionit. Deputeti socialist, Marko Bello, e cilësoi një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Sipas tij, kjo qeveri përpara se ta kërkojë evazionin fiskal te pagat e shqiptarëve me të ardhura të ulëta dhe t‘i taksojë dyfish ato, duhet ta kërkojë aty ku ai fshihet realisht, te firmat pranë qeveritarëve. "E kemi fjalën për kontrabandën masive të cigareve. Gjatë vitit 2007 është shënuar shifra më e ulët e zhdoganimit të cigareve në 5 vitet e fundit", sqaroi Bello. Sipas të dhënave që jep PS-ja; janë zhdoganuar 753 tonë më pak cigare se viti 2006; 593 tonë më pak cigare se viti 2005; 426 tonë më pak cigare se viti 2004 dhe 238 tonë me pak cigare se viti 2003. "Domethënë, zoti Kryeministër, në vitin 2007, ju keni zhdoganuar 238 tonë më pak cigare se viti 2003. Vetëm nga kjo kontrabandë, gjatë vitit 2007 mungojnë në buxhetin e shtetit rreth 30 milionë $", nënvizoi Bello. Sipas tij, kjo shifër është 3 herë më e madhe se i gjithë përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël, të bëra dhe të trumbetuara më të madhe nga qeveria në vitin 2005. "Si është e mundur që, në vitin 2007 të zhdoganohen 20% më pak cigare se në vitin 2006 dhe kjo e dhënë nuk merret parasysh (apo fshihet) pas propagandës demagogjike që, viti 2007 ishte viti më i mirë për ekonominë shqiptare", vlerësoi Bello. Ai insistoi se pas kësaj demagogjie fshihen dështimet spektakolare: në kontrabandën e cigareve, në mosrealizimin e të ardhurave nga doganat dhe tatimet për të dytin vit radhazi, rritjen galopante të papunësisë, rritjen e inflacionit, rritjen e barrës fiskale për pagat e ulëta, nëpërmjet rritjes së tatimit mbi pagat. "Në rritjen e arbitraritetit të administratave fiskale, e vendosjes së taksave jo me ligj, por me vendime e udhëzime të paligjshme, si ai i pagave referuese, i udhëzimeve referuese etj", argumentoi Bello.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›