Berisha informon mediat për takimet në Japoni
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një konference për shtyp, se "vizita në Japoni i ka shërbyer forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërkohë që Japonia ka shprehur angazhimin konkret për një mbështetje akoma më të madhe ndaj vendit tonë". Berisha ka informuar mbi vizitën e tij mediat dhe ka falënderuar për mikpritjen e bërë nga drejtuesit më të lartë të shtetit japonez. Ai ka vlerësuar edhe "ndihmën shumë të madhe që ofrohet nga Japonia me një kredi pothuajse pa interes, prej 110 milionë dollarë, për sa i përket një prej projekteve më të mëdha të vendit, kanalizimit dhe ujërave të zeza të Tiranës, por edhe angazhimin për të shqyrtuar me përparësi një seri projektesh të tjera të mëdha në fushën e energjetikës, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë". Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu edhe "mbështetjen që qeveria japoneze i jep përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe NATO, si dhe kontributin e madh që Japonia jep për paqen dhe stabilitetin në botë dhe në rajonin tonë në veçanti".