Kosova, misioni i kryer
Nëse do të rrinim pak te gjuha e metaforës: në këto çaste, janë në fluturim ato "pëllumbat" e pavarësisë së Kosovës, lajmëtarët e saj botërorë, nga SHBA dhe BE, se, më në fund, ajo u bë, u krye. Deklaratat e njohjes së pavarësisë më të re të këtij kontinenti. Thënë ndryshe, është një pavarësi që u bashkëbë nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Kosova ishte për vite e vite: "çështja shqiptare", por erdhi koha që u kthye në një mision politik-diplomatik të dorës së parë. Në historinë politike botërore ka pasur misione që kanë zgjatur, janë "lodhur", kanë ngecur, apo dhe kanë dështuar, ngase nuk janë bashkërenduar faktorët gjeopolitikë e gjeostrategjikë për t‘i bërë ata të suksesshëm. Nuk qenë mundësuar në radhë të parë urat ndërlidhëse mes atij që quhet faktor i brendshëm me atë që është faktori i jashtëm ndërkombëtar. Kurse Kosova dëshmoi qysh në krye të herës një akord mes vetes dhe të tjerëve në zgjidhjen e çështjes së saj, asaj të pavarësisë dhe të shtetit. Fillimisht me një President të moderuar, që nisi bashkëbisedimin me kancelaritë politike dhe shtetërore të Evropës dhe Amerikës, tani me një Kryeministër të matur, njeriun që i duhet Kosovës në "kohën e kryer" të saj. Rugova ishte njëlloj udhërrëfyesi i ëndrrës kosovare nëpër botë, kurse Thaçi (bashkë)luftëtari i terrenit dhe i tribunës për ta bërë realitet ëndrrën e vendit të tij.
Pa këso profile prijësish, mbase Kosova nuk do të mund të mbërrinte në cakun e saj legjitim. Ndërkombëtarët kishin nevojë për të dy qasjet, ndaj vlerësuan, si "pacifizmin" rugovian të LDK-së, si shpirtin kryengritës të UÇK-ës të mishëruar te lideri i saj politik dhe sidomos në heroikën (tashmë emblemën) "Jashari". Pa aksione të tilla politike-qëndrestare, pa një gërshetim të tyre (me bekimin e ndërkombëtarëve) nuk do të kishte Rambuje, ndërhyrje të NATO-s, plan Ahtisari dhe së fundi pavarësi të Kosovës. Historia e re kosovare na vjen e frytshme, bashkëpunuese, triumfuese mbi problemet e brendshme partiake, për më tepër në një vend, që shtetin deri më sot e kishte më tepër një mundësi për t‘u ushtruar në pushtet, se sa një qeverisje reale prej vetë shqiptarëve. Tani historia ka mbetur prapa, kosovarët gjithnjë e më shumë do të merren me të ardhmen, projektin e ri që nisi dje, i cili ka vetëm një finale, integrimin në strukturat euroatlantike të shtetit më të ri evropian. Historia ishte për deri këtu, tash është bashkëkohësia që prin, që kosovarët e thonë aq bukur përmes një fjale shqipe të ngjizur atje, ardhmëria...
"Pëllumbat" e pavarësisë
Në Kaçanik, mes të tubuarve të shumtë, nën hijen e flamurit kombëtar, të përmasave të mëdha, ngulur në shkrep, një grup festuesish disi në moshë, hapën një kuti "engjëllore" dhe lëshuan në ajër një tufë pëllumbash, që u derdhën hapësirave të kthjellëta të Grykës së famshme. Pastaj, para kamerave vendase dhe të huaja, fjalën e morën bash ata, "pëllumbat" e Kosovës, fëmijët e bukur të Pavarësisë, që uruan me një fjalor diellor për ngjarjen e madhe, ngjarjen shqiptare të shekullit. "Gëzuar Pavarësinë", ishte kryefjala e tyre, ashtu si e të gjithë shqiptarëve, sot (dje) më 17 shkurt. Ishin shkollarë që e dinin fort mirë historinë, gjeografinë dhe folklorin e vendit të tyre, e megjithatë urimi i tyre ishte si prej "pëllumbash" të kësaj kohe, që dinë se për ku janë nisur dhe se ku do të venë. I përkasin një të nesërmeje evropiane dhe ky është kumti i prindërve, i mësuesve, i udhëheqësve të Kosovës. Stërgjyshërit e tyre shtegtuan ato ditë të nëntorit 1912 drejt Vlorës së bashku me Isa Boletinin, për të ngritur flamurin e Pavarësisë, gjyshërit përballuan gjenocidin shekullor mbi ta dhe qenë pastaj etërit e tyre që kryen betejën historike të 1999-ës, çlirimin e Kosovës. Kurse sot, etër e bijë, janë shuguruesit e pavarësisë. Janë këta fëmijë, jo vetëm buzëqeshja e kësaj dite të lume, të pazakontë, por dhe pjesë e misionit të kryer. Në disa rajone kosovare, mësojnë në një bankë me fëmijët serbë dhe sot kur të ulen sërish në ato banka, nuk do të kryejnë asnjë gjest të tepërt, aq më tepër lëndues, përballë shokëve të tyre të një kombësie tjetër. Këta fëmijë e kanë mësuar tashmë atë që mund ta quajmë alfabeti i ri apo ndërgjegjja e re e Kosovës, se nuk mund të jesh i lirë ti, kur nuk është i lirë dhe ai tjetri në krahun tënd, që ishte dhe më parë i lirë. E madhërishmja e kësaj simfonie pavarësie qëndron pikërisht në atë se ti, kosovari, deri dje i gjymtuar në lirinë tënde, u bëre i lirë si ai...
Pavarësia, si falje "gjaku"...
Ishte veçse një detaj nga festa, falja e një gjaku 17-vjeçar mes dy familjeve kosovare. Por një detaj më se domethënës për ditën e papërsëritshme. Nuk mund të kërkosh lirinë dhe pavarësinë tënde vetjake, familjare, kur këtë ia ndalon dikujt tjetër. Apo, nuk mund të mbërrish pavarësinë e madhe, të ëndërruar me shekuj, pa garantuar më parë atë "pavarësinë" e vogël që e ke ti në dorë. Sigurisht asnjëherë nuk ka qenë e lehtë ta hedhësh pas krahëve dhimbjen e madhe njerëzore, kur të është shuar nga pushka një njeri i gjakut, por ky është vitaliteti shqiptar, ky është dhe dinjiteti i njeriut në një shoqëri të re, të falë për hir të së sotmes dhe të nesërmes ndryshe. Të gjithë e kujtojnë 1990-ën dhe kalorësin e rrallë të faljes së gjaqeve, Anton Çetën, shtëpi më shtëpi nëpër viset e Dardanisë, që zgjohej me një ëndërr tjetër, atë të Kosovës Republikë dhe të Kushtetutës së saj. Dhe gjaqet ndër shqiptarë u pajtuan atëherë, mbeti vetëm ndonjë si ky që u fal pardje, që nuk mund të mbahej peng më tej. Ja që pavarësia ka kurorën e saj, atë të faljes, si motiv lirie dhe demokracie. "Kush fal gjakun asht mbi mbretin", na thoshte Fishta në të gjallë të tij, që këtë urti të tijën ta kishim si medaljon dhe për më vonë. Por një falje sot në Kosovën e pavarur, është një mesazh me rrezatim më të madh se vetëm një "falje gjaku". Kosova tani do të jetë shtet i ri dhe një shtet ka tjetër tagër, tjetër qasje ndaj vetes dhe botës. Një shtet që do ta ketë në filozofinë e tij "faljen" dhe bashkëjetesën me komunitetet e tjera që rrojnë aty.