"Shqip" pagëzon beben e parë të pavarësisë
Është vajzë, peshon 4 kilogramë, është e gjatë 58 centimetra, në gjendje të mirë shëndetësore. Fëmija i parë që ka dalë në jetë sapo ka hyrë data e pavarësisë së Kosovës, ka lindur në orën 04.40 minuta në spitalin gjinekologjik të Qendrës Universitare të Prishtinës. Drejtori i spitalit, profesor doktor Shefqet Lulaj, është i emocionuar. Ka dy ditë që nuk ka shkuar në shtëpi, por është mjaft energjik, duke mos shfaqur shenja lodhjeje. E cilëson shumë të ligjshëm interesimin e fëmijës së parë që hyri në epokën e re të Kosovës. "Është ogur i mirë lindja e vajzës", thotë doktor Shefqeti, i cili shton se është korrekte që të pyetet nëna për t‘i bërë fotot "bebes historike". Na dërgon në zyrën e tij, duke zbritur shkallët e godinës së ndërtuar në vitin 1980 me vrap. Më pas na jep bluzat e mjekëve, që janë të domosdoshme për të hyrë në vendin ku ndodhen fëmijët e sapolindur dhe nënat lehona. Nëna e vajzës, 32-vjeçarja Ganimete Ahmeti, nga kryeqyteti i Kosovës, ndodhet ende nën efektin e narkozës.
"Ka lindur me operacion cezarian", thotë doktor Shefqeti, i cili me ngadalë zgjon Ganimeten dhe i thotë që dikush po interesohet për vajzën e saj. Nëna e re është e këputur nga operacioni, por kërkon që ta lajmërojnë bashkëshortin. Drejtori i spitalit, gjinekologu 53-vjeçar, nxjerr telefonin dhe uron të atin e bebes së vogël. "Me jetë të gjatë dhe urime për shtetin e ri, ke nderin që fëmija yt është i pari që ka lindur sapo ka hyrë dita e pavarësisë së Kosovës". Nga matanë recepsionit dëgjohen urimet e babait të fëmijës, i cili menjëherë pyet për shëndetin e bashkëshortes. Doktor Shefqeti i qetëson, duke i thënë që gjithçka është në rregull, e pyet me kujdes se si do t‘ia vërë emrin e vajzës. "Ia kam lënë shoqes", thotë ai, duke uruar drejtorin e kudogjindshëm. Doktori pyet Ganimeten, e cila shokohet nga kjo mori evenimentesh që kanë ndodhur në jetën e saj brenda një nate.
Është e emocionuar dhe ndalon në një moment për të kaluar në trurin e saj të gjitha ato gëzime, të cilat kanë si strumbullar një datë: 17 shkurtin. Të gjithë rrinë me një frymë, duke pritur zërin e nënës së re. Motër Kumria (kështu u thonë në Kosovë infermiereve, sheh drejt nesh dhe papritur "ndërhyjmë në lajm": "Pavarësia", është propozimi ynë, të cilin doktor Shefqeti e përcjell menjëherë, ndërsa nënë Ganimetja e miraton, duke ardhur menjëherë në vete, se zgjedhjet i kishte të limituara pikërisht për shkak të ngjarjes më të madhe historike që ndodhi këtë ditë: më 17 shkurt. Nëna e re pushon paksa dhe të gjithë nisen drejt Pavarësie Ahmetit, bebes që lindi së bashku me një shtet dhe është dëshmi e gjallë e gëzimit të një kombi. Fëmija është në gjendje të mirë dhe nis të qajë kur mbi sy i bie blici i aparatit të fuqishëm fotografik.
Zëri i Pavarësisë ushton në të gjithë pavijonin ku ndodhen thuajse të gjithë fëmijët e sapolindur nën trajtim, por që asnjëri prej tyre nuk bëzan. Natyrisht është dita e bebes që pagëzoi Kosovën e pavarur, duke e përjetësuar me emrin e saj. Në pavijonin e fëmijëve të sapolindur mblidhen shumë pjesëtarë të personelit, mjekë, infermierë dhe punëtorë që urojnë njëri-tjetrin për festën e madhe të Kosovës. Në radhë të parë urojnë drejtorin e spitalit, i cili është më shumë se një koleg për ta. "Janë të përkushtuar dhe duke ditur se paguhen shumë pak, rroga e një mjeku është vetëm 240 euro", thotë doktor Shefqeti, fjalët e të cilit duken si një thirrje për qeverinë e shtetit të ri të pavarur, që gjithçka nuk mbyllet me pavarësinë. Ato vetëm fillojnë me të...