E Diel, 1 Nëntor 2026

Merci, Monsieur Sarkozy!

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, është burrështetasi që bëri gjestin më konkret e më simbolik në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duke folur para nxënësve në një shkollë diku në brendi të Francës, ai u tha atyre: "Duhet të mësoheni me hartën e re të Evropës!" Raportet nga vendi i ngjarjes thonë se kryetari Sarkozi, duke bërë me dorë drejt hartës së Evropës të ngjitur në murin e klasës, shqiptoi fjalinë larghedhëse: "Mësohuni me hartën e re të Evropës! Ju duhet ta ndryshoni atë, me Kosovën". Nuk ka si flet ndryshe, më mirë e më bukur, një kryetar shteti, aq më shumë i një shteti me traditë të gjatë e të shkëlqyer shtetërore, politike e diplomatike, një ditë para se Kuvendi i Kosovës ta shpallë zyrtarisht deklaratën mbi Pavarësinë e saj.
"Mësohuni me hartën e re të Evropës!" - tha kryetari Sarkozi në pikë të ditës, në sy të botës, jo më larg se dyzet e tetë orë para aktit solemn të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, konform vullnetit të qytetarëve të saj dhe në pajtim të plotë me pjesën dërrmuese të bashkësisë ndërkombëtare, e në radhë të parë të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e mbështesin fuqimisht këtë proces. Dhe kur këtë e thotë njeriu i cili gjendet në krye të shtetit, i cili tradicionalisht është konsideruar aleat i Serbisë, siç është Franca, atëherë Beogradi do të duhej ta dinte sa është sahati!
"Mësohuni me hartën e re të Evropës!" Kjo nuk është vetëm një deklaratë politike, e shqiptuar nga kryetari i njërit prej shteteve më të fuqishme të Evropës e të botës, por edhe një figurë e bukur, që zgjon asociacione të shumta dhe nxit krenarinë e ligjshme. Ndryshimi i hartës është ndryshim i gjeografisë dhe i historisë. Është një kapitull i ri në historinë e Ballkanit dhe të Evropës, që ka si pikë referimi një vend të vogël me emrin Kosovë. Është krejt e natyrshme që kjo ide e bukur e kuptimplotë, të vijë nga vendi që i ka dhënë botës: Ronsarin e Volterin, Rusonë e Shatobrianin, Paskalin e Montenjin, Hygonë e Balzakun, Zolanë e Floberin, Stendalin e Bodlerin, Sartrin, Kamynë e Andre Malronë, por edhe Napoleonin, Robespjerin, Dantonin, Dalamberin, Dë Golin e shumë të tjerë, poetë, filozofë, shkrimtarë, intelektualë e shtetarë të shquar.
Sipas vlerësimeve të analistëve, Franca do të jetë ndër shtetet e para në Evropë që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Franca, Britania, Gjermania, Italia... Dhe, pse të mos e themi, se të të njohin shtete si Franca, Britania, Gjermania, Italia, Austria... (pa harruar kurrsesi as SHBA-në dhe shtetet e tjera të botës që mbështesin pavarësinë e Kosovës), s‘është punë e vogël. Përkundrazi. Është një kompliment i vërtetë për një shtet të ri, që po lind me vështirësi, pas aq shumë vuajtjesh, dhembjesh, luftërash, masakrash e sakrificash që shtrihen në një hark kohor gati njëshekullor.
I gjendur në kohë të fundit në fokus të medias botërore, për shkak të jetës së tij private, Nikolas Sarkozi dëshmoi se është një burrë shteti i vendosur dhe vizionar. Ishte pikërisht ai që propozoi muaj më parë bisedimet shtesë 120 ditëshe ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që, si pasojë e qëndrimit të ngurtë të palës serbe (njësoj si në Konferencën e Rambujesë gati dhjetë vjet më parë), nuk dhanë kurrfarë rezultatesh dhe është mu ai që tani mbështet pa rezervë e në mënyrë të qartë, pa ekuivoke, pavarësinë e Kosovës, duke e shprehur këtë mbështetje jo vetëm në çastin e duhur, por edhe në mënyrë tejet origjinale.
"Ju duhet të mësoheni me hartën e re të Evropës!" - u tha Presidenti i tyre francezëve të rinj në një shkollë të Francës, duke iu drejtuar kështu mbarë kombit dhe mbarë botës. Prej sot, 17 shkurt 2008, të gjithë, ithtarë a kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, duhet të mësohen e pajtohen me një fakt të ri historik: me Kosovën shtet më vete, përfundimisht jashtë çfarëdo Serbie e Jugosllavie. Një herë e përgjithmonë.
Dhe s‘ka si të jetë ndryshe, sepse për shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj çështja e pavarësisë së Kosovës është çështje jetike, ekzistenciale; është çështje e lirisë së saj, është to be or not to be (të rrosh o të mos rrosh), kurse për Serbinë shkëputja e Kosovës nga "sovraniteti" i saj është thjesht një fyerje (e përkohshme) e sedrës së saj shtetomadhe dhe asgjë më shumë; e megalomanisë dhe irracionalitetit të një shteti që me dekada ka mbajtur dhunshëm nën sundimin e vet një territor të banuar me popullsi joserbe, populli i të cilit nuk është pajtuar kurrë me atë sundim.
"Mësohuni me hartën e re të Evropës!" - tha kryetari i Francës, zoti Nikolas Sarkozi, në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Duke u shprehur kështu ai shqiptoi një formulë me konotacione të gjera politike, historike e diplomatike, që flet për peshën, seriozitetin, por edhe solemnitetin e çastit historik në të cilin ndodhemi,
Ju faleminderit zoti President i Republikës Franceze. Ju faleminderit, zoti Sarkozi. Merci beaucoup!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›