E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: SHBA dhe 4 vende të BE-së, njohësit e parë

Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, deklaroi dje se 4 vende të Grupit të Kontaktit dhe SHBA pritet të jenë shtetet e para që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Basha nuk dha një ditë të caktuar se kur do ta njohë Shqipëria shtetin e Kosovës, duke theksuar se qëndrimi shqiptar është i njohur, por gjithçka do të bëhet publike në bashkëpunim me Brukselin dhe Uashingtonin. Sipas Bashës, i rëndësishëm është përshpejtimi i njohjes së pavarësisë nga vendet e tjera, pasi njohja e saj nga Shqipëria nuk vihet në diskutim. Sipas tij, Rusia nuk mund të bëjë asgjë për të ndalur pavarësinë dhe çdo përpjekje për të shfrytëzuar pavarësinë si shteg për përsëritjen në disa rajone ruse, është e dështuar.

Pas shpalljes së shtetit të ri kosovar, pritet të pasojë njohja ndërkombëtare. Shtypi i huaj vë në dukje përmbajtjen e SHBA-së nga njohja e menjëhershme e pavarësisë paçka se sinjalet e para janë pozitive. Në anën tjetër, katër vendet kryesore të BE-së, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, do të njohin zyrtarisht ndarjen e Kosovës nga Serbia të hënën gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së dhe SHBA do ti pasojë ato. Por ndërkohë mbetet kundërshtimi i Qipros dhe hezitimi i Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës. Kjo e fundit, nuk do të hedhë asnjë hap të paktën deri pas zgjedhjeve të marsit. Ndërkohë ministri i jashtëm Francez, Bernard Kushner, (ish-kryeadiministrator i Kosovës), i ka uruar Kosovës "fat" menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer kërkoi nga të gjitha palët maturi ndërsa Britania e ka cilësuar deklaratën një zhvillim të rëndësishëm, por do të presë deri të hënën për një reagim zyrtar. Kosova do të dominojë në takimin e sotëm të Brukselit e pasi katër vendet kryesore të BE-së ta njohin zyrtarisht, vende të tjera pritet të ndjekin këtë tendencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›