E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavaresia qe lodhi maturine

Akti vetëshpallës i mëvetësisë shtetërore të Kosovës është rasti më i pastër i triumfit të lirisë së një populli, mbi pengmbajtjet politike dhe gjeopolitike. Pavarësia e Kosovës së fundi ka triumfuar jo mbi një komb tjetër, por mbi tabunë, që për një shekull e mbajtën të tjerët në fuqi, duke i shkaktuar pjesës së rëndësishme kombëtare shqiptare dhimbjen më kohëgjatë. Një dhimbje të tillë kurrkush tjetër s‘ka pasur durim dhe stoicizëm ta pranojë sa populli shqiptar i Kosovës.

Kosova, në kërkim të lirisë së saj mëvetësuese, shkaktoi lodhje të të gjitha koniunkturave, të të gjitha skenarëve dhe të të gjitha pabesueshmërive kancelarike.

Për këtë arsye, shpallja e djeshme e pavarësisë, prej institucioneve të veta legjitime, në aktin dhe kumtin e vet, përbën një triumf kauze, të parashikuar dhe të shënjuar në të gjitha aktet ndërkombëtare të së drejtës kombëtare dhe popullore për t‘u qeverisur dhe për t‘u vetëjetuar në hapësirën administrative dhe në raport me shumëkombësitë e tjera.

Kosova, së fundi, përmes kurajos së përcjellë skutë më skutë të maturisë, i ka dhënë frymë më tepër bashkëjetesës etnike në Ballkan.

Kosova dje, përmes vetëpavarësimit, ka hapur shanse për zgjerim të lirisë në Evropë.

Do të duhet pak kohë për t‘u dëshmuar kjo. Sikundër pak kohë do të duhet për të marrë konfirmimin zyrtar të diplomacive të shëndosha të kontinentit dhe gjithë aleancës madhore euroatlantike për Kosovën. Thuhet shpesh në ritin e trashëguar njerëzor, se fëmija lihet për një numër ditësh në gjirin e nënës pa u parë nga të tjerë, pastaj i shihet fytyra për t‘i dhënë urimet dhe për t‘i dhënë emër. Kosova s‘ka nevojë për kohën e emrit. Diplomacia ndërkombëtare imiton kodin e trashëguar dhe mitik të jetështimit njerëzor. Shumica e diplomacive do të artikulohen në ditët e ardhme për njohjen zyrtare të shtetit më të ri të kontinentit. Kurrë ndonjëherë një lindje e tillë s‘është dominuar nga paqja dhe klima e kujdesit. Shqiptarët, në këtë protagonizëm civil dhe tejet njerëzor, kanë lodhur triumfueshëm maturinë. Diplomacia dhe politika e shqiptarëve në Ballkan së fundi janë në një protagonizëm të pangjarë. Kjo lojë politike dhe diplomatike nuk mbart triumf pengues, as acarues, as provokues, por vetëm një triumf të armatosur me gëzim njerëzor.

Kjo është vërtet një dramë e bukur gëzimngarkuar. Në kohë dhe ditë të tilla, rrallë mund të prodhojë historia shumëkombëshe e Evropës. Se në të shkuarën kurrë, diçka e tillë s‘është parë në jetëmemorien e saj.

Për këtë arsye, triumfi i sotëm i Kosovës, mbi fatin e penguar të saj, është vetëm hapi i parë në rrugën për të fituar sfidat e reja evropianiste.

Shumë shoqëri të tjera fqinje me të kanë detyrimin për ta bashkëndihmuar këtë itinerar të përcaktuar. Energjia kombëtare në Kosovë do të formësohet si një komplementaritet bashkëjetues, me atë pakicë që deri dje ishte shumica pengmbajtëse.

Në këtë marrëdhënie të metamorfozuar, ka për t‘u vjelë suksesi i shqiptarëve dhe i institucioneve qeverisëse të Kosovës. Leximi i Pavarësisë, në këtë mënyrë dhe për këtë destinacion, do të shtojë në të ardhmen e afërt frymëmarrjet e lira ndër popujt dhe në krejt rajonin ballkanik. Ky nuk është vetëm konstatim i deduktuar prej entuziazmit të ditëshpalljes së pavarësisë, por është lexim i drejtpërdrejtë i tekstit dhe nëntekstit, i fjalës dhe i veprës konkrete, që protagonistët e Prishtinës formuluan për aktin pavarësues brenda institucioneve.

Tranzicioni kosovar para pavarësisë ishte moduli i gjetur për të parë se në ç‘përmasa dhe ç‘kualitet po shtoheshin kapacitetet qeverisëse dhe institucionalizuese në shtetin e ri të Evropës. Përmes kësaj ecurie dhe kohës që solli triumfin mbi maturinë e kaq lodhur, Kosova u bë prova reale dhe biblike për t‘i besuar gjithherë popujt në devizën e tyre klasike për liri dhe vetëjetesë.

Kjo periudhë tranzicioni nuk i lodhi as maratonistët e betejës revolucionare për liri e as pacifistët gandistë të kësaj shoqërie. Qëndrueshmëria e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, në përballje me maturinë e lodhur dha bindje dhe besim tek aleatët madhorë, si SHBA, BE, dhe te popujt që mirëpranuan lirinë e të drejtën vetëqeverisëse të Kosovës.

Prej këtij pavarësimi, në të vërtetë, liri dhe energjizëm më tepër ka për të fituar kombi i lodhur nga pengmbajtja, ai që përjetësisht është i vendosur të jetojë si fqinj i Kosovës. Përvoja dhe suksesi në lodhjen e këtij maturimi është "ilaçi" për të shëruar në kohë të shpejtë halucinacionet që dha bashkëjetesa okupuese përgjatë 100 vjetëve. Ndërsa pranimi maturues i këtij fqinji, i kësaj lirie, do të jetë as më pak e as më shumë, rinimi i tij për një të ardhme gjeneratash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›