E Martë, 3 Nëntor 2026

Kosovë – Vendoset periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatëve të certifikuar do të fillojë më trembëdhjetë shtator (13 shtator) dhe përfundon ditën e zgjedhjeve më dymbëdhjetë tetor (12 tetor). Kështu është vendosur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku u vendos edhe për afatet e aktiviteteve të tjera zgjedhore. Deri në fund të kësaj jave, KQZ ka kohë që të miratojë projekt-buxhetin për zgjedhjet lokale të këtij viti.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka bërë të ditur afatet e të gjitha aktiviteteve zgjedhore sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor të këtij viti.

“Deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve zgjedhore që është afati 15 ditor deri më 23 qershor. Deklarimi i partive politike të regjistruara për mospjesëmarrje në zgjedhje deri më 23 qershor, aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 26 qershor dhe përfundon më 13 gusht, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike ne fletëvotim fillon më 3 shtator dhe maksimalisht afati i fundit për t’u mbajtur më 4 shtator. Periudha e fushatës zgjedhore për subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 13 shtator dhe përfundon ditën e zgjedhje, më 12 tetor. Aplikimi për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 korrik dhe përfundon më 17 shtator, aplikimi për akreditim të vëzhguesve të organizatave joqeveritare, qeveritare, ndërkombëtare, përfaqësuesve të vendeve të huaja fillon më 1 korrik dhe përfundon më 27 shtator”, deklaroi ai.

Ndërkaq, periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më 23 korrik dhe përfundon më 29 gusht. Votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor.

Po ashtu, aplikimi i mediave për akreditim fillon më 1 korrik dhe përfundon më 7 tetor.

Besnik Buzhala nga Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se kanë dërguar kërkesë në Agjencinë për Regjistrim Civil për t’u pajisur me ekstraktin e parë të shtetasve të Kosovës me të drejtë vote.

Anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi e ka pyetur lidhur me buxhetin për zgjedhjet lokale.

Buzhala tha se afati i fundit për miratim të buxhetit për zgjedhjet lokale është 13 qershor.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën dymbëdhjetë tetor dymijë e nëjzet e pesë (12 tetor 2025) për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Kosovë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›