E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, EULEX bastis Ministrinë e Transportit



Policia e EULEX në Kosovë ka bastisur dje Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në Prishtinë dhe ka konfiskuar dokumente dhe kompjuterë, ndërsa punonjësit janë shoqëruar jashtë. Ministri i Transporteve, Fatmir Limaj është takuar menjëherë pas kësaj me kryeministrin Hashim Thaçi për të diskutuar aksionin e palajmëruar të EULEX-it. Pak para aksionit në Ministri, forcat e EULEX-it kanë kontrolluar banesën e zotit Limaj në Prishtinë. Pasdite Limaj u takua në Kryeministri bashkë me ambasadorin amerikan Kristofer Dell dhe kreun e EULEX-it, Iv De Kermabo. Pas një takimi dy orësh ata u larguan pa asnjë koment për mediat. Më parë gjatë fjalës së Ministrit të Jashtëm italian Franko Fratini, në Kuvendin e Prishtinës, kryeministri Thaçi dhe ministri Limaj nuk ishin të pranishëm. Misioni evropian për sundimin e ligjit ka njoftuar se dje “në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës”. Sipas deklaratave të zyrtarëve për agjencinë e lajmeve, AP, “Policia e Bashkimit Evropian i ka bastisur zyrat e Ministrisë së Transportit dhe ka shoqëruar jashtë shumicën e të punësuarve”. Besim Reçica, zyrtar i prokurimit nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, tha për AP se në ndërtesën e ministrisë “hynë rreth 30 policë të EULEX”. Në njoftimin e EULEX-it thuhet se “kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)”. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se nuk ka marrë asnjë informatë të drejtpërdrejtë në lidhje me bastisjet, të cilat EULEX-i po u bën lokacioneve të ndryshme në Prishtinë. “Natyrisht ne na informon shtylla e hetimeve, aq sa duhet të na informojë që të mos dëmtohet. Mirëpo, edhe një herë e përmend, kemi insistuar që nëse kanë argumente, koha është për të vepruar, jo vetëm të mblidhen fakte, por të arrestohen edhe krim, edhe korrupsion edhe të gjitha dukuritë tjera që janë dhe që janë grumbulluar”, tha Rexhapi, pas një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.
“Dush i ftohtë” nga Brukseli
Vendimi për bastisje në disa institucione në Kosovë u mor nga EULEX-i, dy ditë pas një “dushi të ftohtë” që iu dha në takimin e Brukselit. Dy vjet pas vendosjes në Kosovë, në atë që konsiderohej misioni më i rëndësishëm i BE-së për funksionimin e ligjit, EULEX po përballet me një problem imazhi brenda Kosovës, ndërsa Brukseli është duke pritur rezultate konkrete. Edhe disa vende anëtare të BE-së, edhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian, do të donin të shihnin EULEX të tregojë “rezultate konkrete dhe të dukshme”, veçanërisht në rastet e rënda që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Misioni i BE-ja ka pushtetin ekzekutiv për të hetuar dhe ndjekur penalisht në disa raste, për të siguruar se nuk ka mosndëshkim për krim të rëndë të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Ministrat e jashtëm të BE në takimin e tyre në Luksemburg të hënën (26 prill) shprehën mbështetje për misionin por kërkuan që ai të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›