E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kredia e Butë me Garanci Sovrane, mundësi reale për fermerët

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Programi i Kredisë së Butë me Garanci Sovrane po jep rezultatet e para në terren, duke u kthyer në një mundësi reale për shumë fermerë të rinj që synojnë të zhvillojnë bujqësinë dhe të rrisin prodhimin në mënyrë të qëndrueshme.

Një shembull është Renato, një fermer i ri nga Zhelizhani i Lushnjës, i cili kultivon perime në serra dhe agrumet në fushë të hapur. Ai ka përfituar nga kjo skemë financimi për të blerë mekanizma bujqësore, duke përmirësuar ndjeshëm procesin e punës dhe rritur kapacitetin prodhues të fermës së tij.

“Më parë, marrja e një kredie ishte thuajse e pamundur për shkak të interesave të larta dhe mungesës së kolateralit,” tha ai gjatë takimit me drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, e cila vizitoi fermën për të parë nga afër ndikimin e investimit.

Ai tregoi se kjo kredi e ka ndihmuar në zhvillimin e mekanizimit, duke lehtësuar punën dhe rritur efikasitetin në fermë. Produktet e tij tregtohen si në tregun vendas, ashtu edhe në eksport, duke kontribuar në ekonominë vendase dhe promovimin e prodhimit shqiptar.

Kuçi ftoi fermerët të përfitojnë nga Kredia e Butë me Garanci Sovrane që ofrohet nga bankat e nivelit të dytë me kushte të favorshme për sipërmarrësit në bujqësi.

“Fermerët përfitojnë normë interesi 2%, mbulim kolaterali deri në 70% dhe financim deri në 25 milionë lekë për subjekt”, tha ajo.

Kuçi bëri të ditur se, aplikimet janë të hapura deri më 20 nëntor 2025.

Ajo ftoi fermerët në të gjithë vendin të përfitojnë nga kjo mundësi për të investuar në rritjen e prodhimit dhe modernizimin e fermave, si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe bujqësor. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›