E Martë, 3 Nëntor 2026

Miratohet lista e shërbimeve që tarifohen nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot listën e të dhënave dhe shërbimeve që do të tarifohen nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

Vendimi vjen në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe përcakton tarifat përkatëse për çdo të dhënë e shërbim, si dhe mënyrën e aplikimit të tyre.

Sipas këtij vendimi të ardhurat e realizuara nga tarifat derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.

Po ashtu, tarifat për të dhënat dhe shërbimet gjeohapësinore bëhen publike në faqen zyrtare të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›