E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroçiera “Brilliance of the Seas” me mbi dy mijë turistë viziton Sarandën

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Në qytetin e Sarandës ka mbërritur kroçiera “Brilliance of the Seas”, duke sjellë në bord 2195 turistë të kombësive të ndryshme.

Porti i Sarandës bën të ditur se turistët vizituan disa prej destinacioneve dhe atraksioneve të Sarandës dhe zonave përreth, duke shijuar bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen e qytetit.

Mbërritja e kroçierës i jep një tjetër impuls turizmit në Sarandë, duke sjellë vizitorë nga vende të ndryshme të botës dhe duke kontribuar në gjallërimin e aktivitetit ekonomik e turistik të qytetit.

“Brilliance of the Seas” do të vijojë qëndrimin e saj në port, ndërsa turistët do ta shfrytëzojnë këtë vizitë për të eksploruar Sarandën dhe destinacionet turistike të saj.

Javën e kaluar në Sarandë mbërriti kroçiera “Seven Seas Navigation”, me 457 turistë nga vende të ndryshme, të cilët shijuan bukuritë e Rivierës dhe pasuritë natyrore e kulturore të zonës.

Mbërritja e kroçierave vijon të ketë një rol të rëndësishëm në gjallërimin e aktivitetit turistik dhe ekonomik në qytetin bregdetar, duke sjellë më shumë lëvizje në bizneset lokale, shërbimet turistike dhe strukturat pritëse.

Me vijimin e mbërritjeve gjatë sezonit, Saranda synon të konsolidojë më tej pozicionin e saj si një prej destinacioneve kryesore të Shqipërisë në itineraret ndërkombëtare të kroçierave.

1 nga 6

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›