Kumbaro: Produktet lokale në tavolinat e turizmit, Përmeti, Gjirokastra dhe Tepelena kanë ende potenciale

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro tha sot se ky qark ka pësuar një hov të madh në zhvillimin e turizmit.
Në një takim me operatorë dhe biznese të turizmit nga Përmeti dhe Gjirokastra, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Kumbaro theksoi se “nëse deri para 10 vjetëve shkoje në Gjirokastër ku kishe 1 apo dy hotele sot kemi në këtë moment në booking mbi 350 oferta turistike vetëm për akomodim”.
“Kur vihet këtu rrihet më shumë se një ditë se nuk mjafton vetëm një ditë për të vizituar kalanë dhe qafën e Pazarit që gumëzhin, por të ofron të gjithë hartën e qarkut të Gjirokastrës”, tha Kumbaro.
Kumbaro bëri të ditur se “nëse në Përmet kemi 1500 shtretër sot që flasim, në Gjirokastër ka 4 500 shtretër. Viti 2024 u mbyll me 600 mijë vizitorë, kujtoj vitin 2013 me 6 900 vizitorë që vizituan kalanë e Gjirokastrës duke u nisur nga shitja e biletave. Jemi duke folur për një hov që nuk ra nga qielli”.
Sot, vijoi Kumbaro, komuniteti, biznesi dhe bashkitë ofrojnë një bashkëpunim për të krijuar destinacionin e menaxhuar që turisti të mos rrijë një ditë, por të kalojë një javë nga parku arkeologjik i Antigonesë deri tek ai kulinar.
“Kur flisja për potencialin që ka Përmeti, Gjirokastra dhe Tepelena për agroturizmin këtë fjalë nuk e kishim në fjalor, sot është kthyer në një fjalë që e përdor çdo fshat dhe produktet lokale janë në tavolinat e turizmit”, tha Kumbaro.
Duke folur për investimet në qark, Kumbaro tha se “rruga Ballaban-Berat mbyllet brenda 2025 dhe është një nga akset e kërkuara nga banorët. Kjo rrugë do të lidhë Gjirokastrën me Beratin, dy qytete të UNESCO-s”.
“Do ndërtohet rruga e Vjosës, që do të lidhë Leskovikun, Çarshovën nëpërmjet Tepelenës. Brenda vitit përfundon ura e re përpara se të futemi në Tepelenë direkt në Dragot duke shmangur urën e Leklit dhe urën e Dragotit dhe shkurton distancën me 40 minuta nga hyrja e Tepelenës drejt Përmetit. Është aks që e afron Tiranën me dy orë, ndërkohë që duhen 3 orë. Unaza e Çajupit, e cila do të lidhë gjithë fshatrat e Zagorisë nga njëra anë dhe të Pogonit nga ana tjetër”, bëri të ditur Kumbaro.
/k.s/j.p