E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro i lë stafetën Jaupajt: Do të vijojë me sukses punët e nisura drejt integrimit europian

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Mirela Kumbaro, e cila u votua sot në Kuvend si ministre e Arsimit, zhvilloi një takim përshëndetës me stafin e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke ndarë momente reflektimi dhe mirënjohjeje pas katër viteve në krye të këtij dikasteri.

Gjatë takimit, ministrja falënderoi dhe vlerësoi stafin e MTM, si ekipin fantastik të turizmit dhe mjedisit, duke shtuar se me ta ka ndarë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm nën një sinergji të jashtëzakonshme.

Në të njëjtën kohë, ajo dorëzoi detyrën tek ministri i ri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, me të cilin ka bashkëdrejtuar për katër vite, ku Jaupaj mbante postin e zv.ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.

Kumbaro shprehu besimin e plotë se Jaupaj do të vijojë me sukses projektet e nisura dhe angazhimet drejt integrimit europian të Shqipërisë në fushën e mjedisit.

Sofjan Jaupaj do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit, pjesë e kabinetit të ri qeveritar me fokus tek sfidat e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, Kumbaro do të drejtojë Ministrinë e Arsimit. Që prej shtatorit 2021 ajo shërbeu si ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Detyra e saj e parë në Këshillin e Ministrave ishte ajo e vitit 2013 kur u emërua ministre e Kulturës, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.

Shifrat tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht 2025, Shqipëria ka mirëpritur gati 9 milionë vizitorë të huaj, ose 500 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në muajin gusht u regjistruan 2,38 milionë turistë, që përfaqësojnë një rritje me 10% krahasuar me vitin e kaluar.

Në vitin 2021 të ardhurat nga ky sektor arrinin në 1,8 miliardë euro, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan 5 miliardë euro. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›