BM – Trump: Nuk pajtohem me Starmer për njohjen e Palestinës

LONDËR, 18 shtator /ATSH-DPA/- Jemi në një mosmarrëveshje me kryeministrin britanik Keir Starmer mbi planin e Britanisë së Madhe për të njohur shtetin palestinez, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Starmer është gati të njohë shtetësinë palestineze përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork këtë muaj, nëse Izraeli nuk përmbush një sërë kushtesh për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.
Vendimi është pothuajse i sigurt, pasi Izraeli tha se është kundër kushteve të Starmer – duke përfshirë rënien dakord për një armëpushim, një zgjidhje me dy shtete për paqen dhe ndalimin e aneksimeve në Bregun Perëndimor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten kategorikisht kundër idesë së njohjes së shtetit palestinez dhe gjithashtu kanë refuzuar t’u japin viza zyrtarëve palestinezë për takimin e ardhshëm të OKB-së.
“Kam një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë pikë, një nga mosmarrëveshjet tona të pakta në fakt”, u tha presidenti i SHBA-së gazetarëve në një konferencë për shtyp gjatë vizitës së tij shtetërore në Britaninë e Madhe.
“Duhet t’i kthejmë pengjet menjëherë”, tha Trump duke akuzuar grupin militant palestinez Hamas se po i përdorte pengjet si “karrem”.
“Njohja e Palestinës duhet të shihet si pjesë e asaj pakete të përgjithshme që shpresojmë të na çojë – nga situata e tmerrshme në të cilën ndodhemi tani – në rezultatin e një Izraeli të sigurt, të cilin nuk e kemi, dhe një shteti palestinez të qëndrueshëm”, shtoi Starmer.
Franca, Kanadaja dhe Japonia janë ndër vendet e tjera që kanë thënë se po planifikojnë të ndërmarrin të njëjtin hap si BM-ja në samitin e OKB-së, ose përpara tij. //a.i/