E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kundër kancerit të gjirit – Mjekja Jota Sasopulu, konsulta dhe vizita falas për gratë dhe vajzat

Prej dy ditësh, në Poliklinikën e qytetit të Korçës ka qenë e pranishme mjekja greke Jota Sasopulu, e specializuar në onkologji, e cila ka ofruar konsulta dhe vizita falas për gratë dhe vajzat që kanë pasur dyshime apo janë diagnostikuar me kancer të gjirit. Kjo nismë u realizua si bashkëpunim i Spitalit Rajonal Korçë me Shoqatën e Mjekëve të Selanikut.

“Mesazhi që duhet të përçojmë është se kanceri i gjirit është i parandalueshëm dhe i shërueshëm, prandaj të gjitha gratë duhet të kujdesen për trupin e tyre duke bërë mamografi dhe ekografi në mënyrë që të diagnostikohen herët dhe ti trajtojmë ato”, u shpreh mjekja Sasopulu.

Mes grave dhe vajzave që kanë rezervuar takim me mjeken greke ka qenë edhe një ish paciente e saj, e cila para gjashtë muajsh ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale.

“U bëj thirrje grave dhe vajzave të kontrollohen sa më shpejtë më mirë”, tha një paciente, Ferdane Zeqillari.

Nga ana tjetër, edhe stafi i Poliklinikës së qytetit është bërë pjesë aktive e fushatës së ndërgjegjësimit, duke zgjeruar oraret e punës për të mundësuar kontrolle falas gjatë gjithë muajit tetor.

“Ka pasur interes dhe deri tani janë kryer rreth 328 ekzaminime të mamografisë, dhe me motin “çdo ditë vlen për jetën tënde”, këshillohet çdo grua që të vet kontrollohet dhe të drejtohet pranë mjekut të familjes për çdo shqetësim”, theksoi Ornela Ruço, Shefe e Shërbimit të Specializuar Ambulator.

Fushata synon të përcjellë mesazhin se kujdesi ndaj vetes dhe kontrollet e rregullta janë hapi i parë drejt ruajtjes së shëndetit.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›