Bode dhe Gjana ndajnë fondin 10 milionë USD
Ministria e Financave dhe ajo e Bujqësisë kanë zyrtarizuar dje nisjen e procedurave për kreditimin e sektorit të bujqësisë, i ndarë në tetë fusha. Fondi për mbështetje të këtij sektori për vitin 2008 është 10 milionë dollarë, ndërsa procedurat për shpërndarjen e tij do të kushtëzohen nga lloji i aktivitetit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, përveç planeve strategjike të qeverisë për zhvillimin e sektorit, evidentoi disa probleme që kanë sjellë ngadalësimin për rritjen e prodhimit. "Rritja e prodhimit bujqësor dhe prodhimeve që vijnë nga bujqësia ka pasur një dinamikë më të vonuar në krahasim me sektorë të tjerë të ekonomisë", tha Bode. Qeveria ka ndërmarrë disa masa duke filluar në janar të këtij viti, si rimbursimi i TVSH-së për të gjithë shitblerjet e bëra në tregun e brendshëm të prodhimit bujqësor, me një efekt prej rreth 60 milionë dollarësh, ndërkohë që është deklaruar dhe vendosur dhe rimbursimi i akcizës së të gjitha karburanteve të rënda që do të përdoren në industrinë agropërpunuese. Përveç këtyre masave, do të përdoret edhe fondi prej 10 milionë dollarësh, si garanci për të kredituar sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Bujqësia në vend përballet me probleme të mëdha, jo vetëm në mungesë të fondeve, por edhe nga pikëpamja e mentalitetit. Sipas ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, 10 milionë dollarë, do të mbështesin direkt apo përmes kredive me interesa të reduktuara fermerët që do të vlerësohen se garantojnë sukses të skemës. Përmes subvencionit për të reduktuar normat e interesit, duke përfituar kredi me interesa të ulëta, do të mbështeten shoqëritë e prodhimit dhe tregtimit në bujqësi, pra ata që po ecin në rrugën e krijimit të minikooperativave, apo të njësive ekonomike që bashkojnë disa fermerë së bashku në aktivitetin e tyre.
BSH
Pamja e re e Bankës së Shqipërisë, e skicuar nga prof. Ark. Marco Petreschi, i cili fitoi vendin e parë për 35 mijë euro në konkursin ndërkombëtar, rezultati i të cilit u shpall dje. Kompleksi i ri, do të ndërtohet së bashku me rikonstruksionin e ndërtesës ekzistuese, në përputhje me studimin e aprovuar të qendrës së Tiranës dhe do të mundësojë akomodimin e një personeli prej 400 personash.