E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pse morëm para me fajde"

Të kthyer në personazhet më të diskutuar kohët e fundit si njerëzit që kanë kthyer "piramidat e frikshme" dy biznesmenët korçarë, Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, vazhdojnë biznesin e tyre Korçë dhe tashmë kanë edhe një pikë edhe në kryeqytet. Të shqetësuar për akuzat që janë hedhur ndaj tyre ditët e fundit, ata kanë dashur të sqarojnë çështjen e dhënies së parave nga disa persona. Këta të fundit kanë denoncuar në polici dhe në prokurori dy tregtarët e konfeksioneve për mospagimin e lekëve që iu janë marrë hua përkundrejt një përqindjeje që do të përfitonin në momentin e dorëzimit të parave. Dy ortakët nuk e kanë mohuar borxhin që iu kanë marrë të paktën 10 personave në qytetin e Korçës, një borxh që mund shkojë deri në 300 mijë euro, por kanë dashur të saktësojnë se për momentin nuk janë në gjendje të shlyejnë shumat e marra.

Në një intervistë dhënë për "Shqip", ata kanë sqaruar pozicionin e tyre, si dhe kanë bërë me dije se akuzat e ngritura ndaj tyre janë bërë vetëm për të prishur imazhin e biznesit.

Kur e keni filluar biznesin tuaj?

Biznesin e kemi nisur në vitin 1994. Me disa ortakë të tjerë kemi bërë privatizimin e NPV-së në Korçë. Firma quhet "Interkonfeksion" dhe kemi 15 vjet që merremi me këtë biznes. Gjatë asaj periudhe jemi përpjekur që të mbajmë në punë të gjithë punëtorët ekzistues, sepse kishim nevojë dhe për eksperiencën e tyre. Por pas vitit 1997, ne ishim bashkëpronar dhe administrator të saj. Ndërkohë, na duhej që të përballeshim edhe me konkurrencën e pandershme. Në atë kohë morëm një kredi në bankë dhe blemë një fabrikë konfeksionesh, ku kishim dhe një repart me fason. Kishim mundësi që të kishim në punë dhe specialistë që kishin kohë që ishin marrë me veshjet, prerjen dhe qepjen e tyre. Nuk mund të themi se biznesi ka ecur shumë mirë, pasi ka pasur dhe ulje ngritjet e saja.

Është thënë se paratë që i keni marrë njerëzve të ndryshëm u keni premtuar që t‘ua ktheni me një interes prej 12 për qind në muaj... E keni ditur se kjo është një gjë që nuk lejohet?

Ne u kemi kërkuar lekë njerëzve të ndryshëm për të dalë nga gjendja e vështirë financiare që ka kaluar biznesi ynë dhe jemi përpjekur që të jemi sa më të përpiktë me njerëzit. Ata që na kanë dhënë lekët kanë dashur që të bëhen pjesë e biznesit tonë, ndërsa ne i kemi pranuar në mënyrë që të kalojmë gjendjen e vështirë financiare. Kemi krijuar një oligarki financiare, dhënien e lekëve me mirëkuptim. Kontaktuam me mjekun Isuf Salicaj, i cili na kërkoi ndjesë për bërjen publike të shumës që na ka dhënë hua. Ne jemi këtu, jemi në Shqipëri dhe kemi kontaktuar me personat të cilëve iu kemi marrë hua. U kemi sqaruar atyre se ka pasur vonesa në pagesë, pas momentit të bërjes së porosisë. Kur të bëhen pagesat e porosive, atëherë ne do të paguajmë lekët. Vetëm në magazinën që kemi në Tiranë kemi mall afro 200 mijë euro. Çka do të thotë që ne jemi në gjendje të paguajmë lekët që kemi marrë hua. Edhe në rast se situata do të ishte ashtu si është paraqitur në media, kapitali që ne kemi të investuar shkon në 3 milionë euro. Në të kundërt, ne do të shpallnim falimentimin dhe do t‘i merrnim sërish paratë e investuara. Ne kemi dashur që ta vazhdojmë këtë biznes dhe do të vazhdojmë me gjithë vështirësitë e hasura. Prandaj mund të themi se si kemi për të dhënë lekë, ashtu kemi dhe për të marrë. Sa për detyrimet që ka kompania jonë, të gjitha janë të dokumentuara, gjë që do të vërtetohen më pas nga organet kompetente dhe shteti ligjor në marrëdhëniet ligjore kontraktuale. Ne bashkëpunojmë me njerëz të ndryshëm, në vlerë dhe në natyrë, brenda ligjeve të shtetit. Te ne nuk ka as piramidë dhe as mashtrim, por vetëm punë të ndershme në biznes dhe drejtësi.

Atëherë kur çdo gjë ka pasur mirëkuptimin e palëve, përse huadhënësit kanë nxituar për të bërë denoncimin ndaj jush?

Pas gjithë këtyre denoncimeve qëndron një person i vetëm, i cili është Vasil Çerveni. Para shumë kohësh ne i kisha marrë afro 15 mijë dollarë Çervenit dhe ia kemi kthyer borxhin, sipas afateve. Por ky person jep deklarata të papërgjegjshme sikur ne u kemi marrë 100 njerëzve shuma të mëdha parash. Vazhdimisht Çerveni na ka kërcënuar me jetë dhe nën kërcënim e armëve ai na ka para. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur na ka dalë më armë përpara në mes të rrugës duke na kërkuar lekë, apo ka ardhur në ambientet e fabrikës duke thyer xhama dhe duke kërcënuar edhe punëtoret. Për këtë gjë kemi vënë në dijeni edhe organet kompetente. Kemi bërë edhe denoncim në polici, pasi ky person është i lidhur me mafien dhe na ka shkaktuar shumë probleme.

A janë të mbyllura nga tatimorët fabrikat e konfeksionit në qytetin e Korçës?

Nuk është e vërtetë që 2 fabrikat tona janë të mbyllura në Korçë. Mund të shkoni gjatë orëve të paradites kur aty punohet dhe do të shikoni se puna aty vazhdon rregullisht. Ndërkohë, ne jemi duke kërkuar për hapjen e një fabrike tjetër konfeksionesh në qytetin e Shkodrës. Kjo do të thotë vende të tjera pune, por edhe treg të ri për ne. Është një periudhë gjatë muajit nëntor-dhjetor që vjen dhe ndryshimi i sezonit, nuk ka pasur punë dhe jemi detyruar që t‘i mbajmë punonjëset vetëm për pak kohë, domethënë disa ditë në muaj. Në këto kushte ne nuk mund të paguajmë sigurimet shoqërore, kur nuk punohet me kohë të plotë. Për këtë ne kemi gjetur dhe mirëkuptimin e drejtuesve të tatim-taksave, të cilët na kanë shtyrë edhe afatet për kryerjen e pagesave.

Ekspertët pohojnë se huadhënia

jashtë bankave është piramidë

Fill pas trazirave të vitit 1997, të shkaktuara nga rënia e piramidave, ekspertët nxorën një ligj që pengonte dhënien e huave nga persona të tjerë. Sipas ekspertëve të kontaktuar nga gazeta edhe në rastin e bërë publik në Korçë, kemi të bëjmë me një skemë të pastër piramidale. "Dhënia e lekëve me normë interesi jashtë bankës përbën një skemë piramidale. Kjo për faktin se banka ka të drejtë të jap hua dhe për këtë hua të ketë edhe normën e interesit të saj. Çdo huadhënie tjetër është shkelje ligjore", ka pohuar njëri nga ekspertët. Sipas tij, do të ishte e udhës që sensibilizimi i personave duhej të ishte bërë më parë, pasi ligji shqiptar e pengon qartazi dhënien e huasë. Juristë dhe persona brenda sistemit gjyqësor deklarojnë se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë ndalohet përfitimi i interesave mbi mesataren e interesave bankare.

Ndërkohë, sipas nenit 143 të Kodit Penal, "vjedhja me anë të mashtrimit", kur ka të bëjë me shuma të konsiderueshme parash dhe me disa persona, dënohet me 3 deri në 10 vjet heqje lirie, por sërish mbetet për t‘u shlyer detyrimi financiar.

Flet kryeprokurori Përparim Vukaj, pas shtimit të rasteve të denoncimit

Çështja e fajdeve, rizgjohet

dhe Prokuroria e Korçës

Prokuroria e Korçës rihap çështjen nga e para për skandalin më të fundit që ka përfshirë juglindjen e vendit. Ka qenë vetë kreu i Prokurorisë së Korçës, Përparim Vukaj, që ka konfirmuar se ka fuqizuar dosjen nisur nga procedimet e shumta që janë shtuar dita-ditës edhe pranë Gjykatës së Rrethit. "Kam fuqizuar dosjen në fjalë duke u nisur edhe nga procedimet e shumta për këtë çështje. Do të rinisin hetimet këtë herë për skema piramidale. Prokuroria e Korçës ka vendosur ta hetojë deri në fund këtë çështje përveç punës që po bën paralelisht policia dhe gjykata me çështjet e shumta civile që ka në proces. Pavarësisht nga gjykimet civile dhe veprimet që po kryhen nga ana e policisë gjatë këtyre ditëve, jemi të vendosur të hetojmë të gjitha rastet, ndërsa dosja e parë e cila do t‘i kalonte gjykatës është rifuqizuar këtë herë për çështje penale", ka thënë prokurori i rrethit, Përparim Vukaj. Lista e gjatë e personave, të cilët në ditët e fundit i janë drejtuar gjykatës dhe policisë krahas atyre që janë në proces të nisura më parë, tashmë i ka kaluar 20 persona të dëmtuar. Nga ana tjetër, gjykata ka marrë së fundit edhe katër padi të reja civile që siç konfirmohet zyrtarisht do t‘u shtohen rasteve të shumta që janë në proces, mes të cilave vetëm një çështje e mbyllur tashmë me vendim gjykate për kthimin e 11.400 dollarëve ndaj një shtetasi dhe garanci hipotekore të një banese dhe trualli. Denoncimet ndaj dy biznesmenëve Jani Lluka dhe Ilia Nikolla pranë policisë së Korçës që i janë drejtuar në ditët e fundit edhe komisariatit kanë kaluar të gjitha në Drejtorinë e Policisë ku ka nisur hetimi nga ana e krimit ekonomik financiar. Persona të ndryshëm po depozitojnë denoncimet e tyre për dhënien e parave, ndërsa sipas drejtorit të policisë, Emri Vata, rastet do t‘i kalojmë më tej sipas procedurave edhe prokurorisë bashkë me materialet e grumbulluara. Edhe shefi i komisariatit, Latif Kulla, ka thënë se personat që janë paraqitur me pretendime për këtë rast i kanë kaluar drejtorisë për t‘u ndjekur nga ana e sektorit përkatës. Sipas rasteve, personat që i janë drejtuar policisë kanë bërë të ditur shumat të cilat u kanë dorëzuar dy personave bashkë me përqindjet e interesit që kanë qenë të ndryshme për kreditorë të ndryshëm. Nga ana tjetër, edhe kreu i tatimeve shprehet se këta shtetas i detyrohen shuma të konsiderueshme parash degës së tatimeve, pasi nuk kanë derdhur detyrimet financiare që nga viti i kaluar. Ilir Frashëri ka theksuar se këtyre personave do t‘ju sekuestrohet fabrika në rast se nuk paraqiten për të shlyer detyrimet, ndërsa ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që institucioni t‘i çojë për ndjekje penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›