Apeli i ZMQ: Ka korrupsion në futboll
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve kanë kërkuar fillimin e një fushate për të pastruar futbollin shqiptar. "Këmbët e pastra" ka qenë slogani nëpërmjet të cilit këto dy shoqata kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të shpëtuar sportin më të dashur në vendin tonë, futbollin, i cili gjatë kohëve të fundit është përfshirë nga dyshimet për trukimin e ndeshjeve dhe sidomos përfshirjen e saj me aktivitetet kriminale. ZMQ dhe Shoqata e Prokurorëve i kanë bërë thirrje shtetit shqiptar të marrë masa për t‘ia kthyer futbollin njerëzve, të cilët janë zhgënjyer nga situata aktuale që po kalon ky sport.
"Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, nisur nga ngjarja e para disa ditëve, ku lajmi i arrestimit të një grupi trafikantësh në Itali, shoqërohej me deklarimin se ky grup ishte edhe financuesi i një prej ekipeve në futbollin shqiptar, deklaron se tashmë fenomeni i këmbëve të papastra, që luajnë brenda dhe jashtë fushave të blerta në vendin tonë është bërë shqetësues. Në vendin tonë sporti i futbollit nuk u përket me dashamirësve të vet. Ky fakt më së miri provohet nga pamja e stadiumeve të zbrazura. ZMQ dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, duke u referuar në një seri faktesh të rënda të njohura për të gjithë, në denoncime të vazhdueshme publike e jopublike të bëra nga drejtues klubesh, gazetarë sportivë e deri edhe institucionesh prestigjioze ndërkombëtare, i bën thirrje Parlamentit Shqiptar dhe organeve të iniciativës ligjore për një ndërhyrje të shpejtë e të vendosur në përmirësimin e situatës, para se ajo të shkojë drejt kolapsit të plotë", shkruhet në deklaratën për shtyp të ZMQ. Ndërkohë, në emër të Shoqatës së Prokurorëve ka qenë prokurori Shkëlqim Hajdari ai që ka treguar se si mund të ndryshoheshin gjërat në këtë aspekt, sidomos në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e një legjislature të mirëfilltë për rastet në fjalë. "Në opinionin tonë, kuadri i tanishëm ligjor lë hapësira për abuzim dhe pengon punën e prokurorisë në fillimin dhe çuarjen deri në fund të ndjekjes penale. Abuzimet në këtë fushë dhe rastet flagrante të korrupsionit mund të arrijnë vlerën prej disa miliona eurosh. Kuadrit ligjor i mungon koherenca, për mbrojtjen dhe rregullimin e marrëdhënieve juridike në mënyrë që shkelësit e ligjit të mos mbeten të pandëshkuar si nga ana administrative ashtu edhe ajo penale. Të gjendur përballë kësaj situate, shprehim bindjen që heshtja dhe mosveprimi kanë çuar në një pikë të tillë ku korrupsioni po shkatërron të gjitha vlerat pozitive që sporti edukon dhe për të cilat shoqëria shqiptare ka kaq shumë nevojë. Për sa më sipër, ZMQ dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve u kërkon institucioneve, të cilat kanë për detyrë bërjen e ligjeve të marrin masat e duhura për plotësimin e kuadrit ligjor, duke i vënë në dispozicion të gjithë ekspertizën ligjore të nevojshme. Përmirësimi i kuadrit ligjor në fushën e lotarive sportive do të ndihmonte për të shmangur përbaltjen e përfaqësuesve të sportit shqiptar, të cilët njëkohësisht janë dhe simbole të kombit", shkruhet në deklaratën e ZMQ-së dhe Shoqatës së Prokurorëve.
Iniciativa
FSHF me "hetuesi sportive"
Federata Shqiptare e Futbollit ka vënë menjëherë në punë "hetuesinë sportive" që ka krijuar për të mbikëqyrur dhe goditur rastet e dyshimta në futbollin shqiptar. Dy Inspektorët e Komisionit të Disiplinës kanë filluar zyrtarisht punën që pas miratimit të funksionit të tyre nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Inspektorët e Disiplinës do të punojnë jashtë komisioneve juridike të FSHF-së, ndërsa mund të kërkojnë edhe informacione që nuk kanë mbërritur zyrtarisht në institucionin e futbollit. Ata mund të hetojnë për çdolloj dyshimi të lindur qoftë edhe nga deklaratat në media, ashtu siç mendohet se po veprohet aktualisht me akuzat për ryshfet ndaj drejtuesve të Bylisit.