E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon kërkesën për komision hetimor për McGonigal, pranon atë për “11 majin”

Gjykata Kushtetuese ka pranuar me shumicë votash kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, për zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025, zgjedhje që PD pretendon se janë manipuluar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Gjithashtu, në seancën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen ‘McGonigal’.

Njoftimi:

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77 dhe 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

1.      Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

2.      Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

3.      Shfuqizimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4.      Rrëzimin e kërkimeve të tjera.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›