E Martë, 3 Nëntor 2026

LONDËR – BM: Armëpushimi Rusi-Ukraine të jetë pa kushte

LONDËR, 28 prill /ATSH-DPA/- Qeveria britanike e ka mirëpritur takimin midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fundjavë.

“Është, padyshim një takim i mirë”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer.

Më herët, Starmer tha se bisedimet për armëpushimin në Ukrainë nuk ishin në fund të procesit, pasi udhëheqësi i SHBA-së, Trump sugjeroi që Zelensky mund të ishte i gatshëm për të hequr dorë nga kontrolli i Krimesë.

Zelensky dhe Trump u fotografuan duke biseduar të ulur përpara ceremonisë së funeralit të papa Françeskut të shtunën.

Udhëheqësi ukrainas zhvilloi gjithashtu një takim me Starmer – të cilët u fotografuan gjatë një bisede me Trump dhe presidentin Francez Emmanuel Macron.

Takimi midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Ukrainës ishte i pari që nga përplasja e tyre e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, në shkurt.

Presidenti amerikan Trump kritikoi të shtunën presidentin Vladimir Putin – duke shkruar në “Truth Social” se udhëheqësi rus mund të ishte “thjesht duke vonuar refuzimin përfundimtar”.

Trump u tha dje gazetarëve se mendon që Zelensky mund të ishte gati të hiqte dorë nga Krimea, e cila është pushtuar nga Moska që nga viti 2014.

“Nuk jemi ende në fund të procesit dhe diskutimet do të vazhdojnë edhe këtë javë”, tha Starmer – i pyetur në lidhje me sugjerimin e SHBA-së për njohjen e aneksimit të Krimesë nga Rusia.

“Ne gjithmonë kemi qenë shumë të qartë: armëpushim pa kushte. Duhet të jetë i qëndrueshëm, sepse nuk i besoj Putinit, mendoj se nëse nuk është një armëpushim i qëndrueshëm, luftimet do të kthehen – dhe ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, shtoi ai.

Kremlini shpalli sot një armëpushim nga 8-10 maji. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›