Rama: Tirana destinacion turistik, investimet agroturistike histori suksesi

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me socialistët në Petrelë, Tiranë.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “faktet tregojnë që ajo çka ka ndodhur me zhvillimin e Tiranës ka ndikuar në mënyrë shumë domethënëse të gjithë hapësirën rurale”, tha Rama.
“Faktikisht sot ne jemi këtu në një investim të bërë nga një çift që janë kthyer nga emigracioni dhe kanë bërë një investim jo të vogël, me siguri të suksesshëm besoj unë, që përpara një dekade do ishte e pakonceptueshme të bëhej”, theksoi Rama duke iu referuar vendit ku po mbahet takimi.
Këtu, shtoi Rama, ka pasur faktikisht 2-3 njerëz që kanë hapur disa dyer por mezi mbijetonin, ndërkohë që sot të hapësh një agroturizëm në periferitë e Tiranës është një investim shumë kuptimplotë për nga suksesi”.
Po kështu, vijoi Rama, “gjithë zhvillimi i kryeqytetit dhe i gjithë transformimi i tij në një destinacion turistik ka bërë që të rritet në mënyrë marramendëse numri i dyerve të mikpritjes dhe kjo të kërkojë një rritje domethënëse të të gjithë prodhimeve vendase”.
Duke folur për prodhimin vendas, Rama u shpreh se, “kur ne kemi marrë detyrën raporti midis prodhimeve vendase që eksportoheshin dhe prodhimeve të importit ishte 1 me 9. Pra ne eksportonim 1 dhe importonim 9, që do të thotë, nevoja jonë për ushqim ishte e bazuar kryesisht tek importi. Sot ne eksportojmë 1 dhe importojmë 3. Që do të thotë që ka një prani shumë më të madhe të prodhimit vendas në treg dhe ka një ulje domethënëse të prodhimeve të importit”.
“Është një raport që duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë dhe do të përmirësohet”, theksoi Rama, por shtoi ai, “është shumë e rëndësishëm të thuhet dhe kuptohet se çfarëdo investimi që bëhet në kryeqytet, në pjesën urbane të kryeqytetit duket sikur s’ka lidhje me çfarë ndodh këtu, por ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe çdo përmirësim që i bëhet organizmit të qytetit në çdo pikë ndikon në të gjithë organizmin”. /j.p/