E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Ndalimi i monopatinave, vendim për mbrojtjen e jetës së qytetarëve

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë seancës pyetje-përgjigje në Kuvend me deputetin e partisë “Mundësia”, Erald Kapri, theksoi se vendimi për ndalimin e monopatinave ishte i domosdoshëm për sigurinë e qytetarëve.

Ai theksoi se situata ka ndryshuar ndjeshëm pas ndalimit, duke nënvizuar se ka një ulje të numrit të aksidenteve.

“E rëndësishme është të hedhim sytë nga BE, ata e kanë trajtuar duke patur parasysh jo përfitimet politike, por mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të tyre. Më i famshëm është Parisi që ndaloi përdorimin e monopatinave, nuk është masë antiligjore, por rregull dhe shmangia e kaosit në rrugë”, tha ministri.

“Për sa u përket shifrave që kanë çuar drejt një vendimmarrjeje të tillë, mjafton të citoj të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit. Në vitin 2023 janë evidentuar plot 587 raste aksidentesh nga monopatinat; Në vitin 2024 janë evidentuar plot 991 raste aksidentesh, duke përfshirë edhe humbje jete; Në vitin 2025, ky numër ka shkuar në 887.

“Tani është e qartë fare, që ka pasur një trend shqetësues në rritje, nga viti në vit, që nga fillimi i përdorimit të monopatinave, duke rrezikuar qartësisht jo vetëm jetën e përdoruesve, shpeshherë nën moshën ligjore për të drejtuar një mjet elektrik, një mjet rrugor me shpejtësi të caktuar që përbën shkak për burim aksidentesh apo edhe vetë aksident me humbje, apo cenim serioz të shëndetit të qytetarëve dhe këmbësorëve kryesisht, por situata ndryshoi katërcipërisht mbas këtij vendimi që u mor nga ana jonë, sipas udhëzimit përkatës, ku u ndalua përdorimi i monopatinave.

“Konkretisht, nga momenti i miratimit, deri më sot, janë raportuar nga Policia e Shtetit, vetëm 6 raste. Pra, nga gati 1 mijë raste aksidentesh në 2024, përfshirë edhe humbje jete, në 6 raste. Kemi një ulje në minimum absolut”, tha Lamallari.

Sipas ministrit “për sa i përket dokumentacionit, nga 1,350 monopatina të verifikuara nga Policia e Shtetit, rezultojnë pa dokument pronësie. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme të diskutojmë është të hedhim sytë edhe nga vendet evropiane, të cilat e kanë trajtuar këtë problematikë shumë herët dhe para nesh. Por diferenca është se ato e kanë trajtuar duke pasur parasysh jo përfitimet politike të momentit, por duke pasur parasysh mbrojtjen e jetës së qytetarëve të tyre”.

Lamallari gjithashtu bëri krahasime me vendet e Bashkimit Evropian.

“Çfarë ndodh në Itali, çfarë ndodh në Spanjë, në Danimarkë, çfarë ndodh në Berlin? Pikërisht në këto vende janë marrë masa të ndryshme në lidhje me kufizimet sa i përket përdorimit të këtyre mjeteve, ku më e famshmja është rasti i Parisit, ku në vitin 2023 u ndalua përdorimi i monopatinave. Pra, jemi të qartë se nuk kemi të bëjmë me një masë antiligjore, por me një rregull dhe shmangien e kaosit në rrugë, aq më tepër kur cenohet jeta e qytetarëve. Shumë faleminderit dhe besoj se kjo ishte shumë sqaruese”, u shpreh ministri.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›