Lamallari: Ndërhyrja vijon nga toka dhe ajri për të shpëtuar parkun e Lurës nga zjarri

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për neutralizimin e vatrave të zjarrit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri, ndërsa në terren janë angazhuar forca të Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile.
Sipas Lamallarit, ekipet po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta, me synim kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Lurës.
“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, u shpreh ministri.
Lamallari theksoi gjithashtu nevojën për identifikimin e personave që mund të kenë shkaktuar zjarret qëllimisht dhe ndjekjen e tyre penale.
Ai kërkoi angazhim maksimal nga Policia e Shtetit dhe organet e drejtësisë për evidentimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, duke e cilësuar dëmtimin e pasurisë pyjore një cenim të pasurisë kombëtare.
/e.xh/j.p/