Lamallari: Policia jo pjesë e narrativave politike, 444 punonjës të referuar në prokurori

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u përgjigj sot në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në lidhje me sigurinë në vend.
Lamallari nënvizoi se përtej debateve politike, çështjet që lidhen me sigurinë dhe besimin tek Policia e Shtetit kërkojnë trajtim të përgjegjshëm dhe të bazuar në fakte, duke garantuar informim të plotë dhe të verifikueshëm për publikun. Ai theksoi se siguria publike dhe besimi tek Policia e Shtetit nuk janë thjesht objekt debati politik, por prekin drejtpërdrejt themelet e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e institucioneve.
Në këtë kuadër, ai u shpreh i vendosur për të ofruar një pasqyrë të qartë mbi punën, sfidat dhe rezultatet e Policisë së Shtetit, duke vënë theksin tek rëndësia e trajtimit me përgjegjësi të kësaj çështjeje dhe shmangien e narrativave që dëmtojnë besimin publik.
Duke iu referuar shifrave për sa i përket pastrimit të brendshëm në Policinë e Shtetit, ministri tha se gjatë vitit 2025, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) referoi në prokurori 336 raste penale për shkelje të konstatuara brenda strukturave të policisë dhe agjencive të tjera nën mbikëqyrjen e saj, përfshirë Gardën e Republikës dhe zjarrfikësit.
Sipas ministrit, referimet përfshijnë 444 punonjës të strukturave të policisë, nga të cilët 95 janë në nivel të parë drejtues, ndërsa 330 janë në nivel zbatues. Në total janë kryer 100 hetime proaktive, me fokus kryesor tek nivelet drejtuese.
“Megjithatë, sipas fakteve të cituara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore janë 336 referime penale për shkelje të konstatuara brenda strukturave të policisë dhe agjencive të tjera, të cilat janë në mbikëqyrjen e AMP, konkretisht Garda e Republikës dhe zjarrfikësit, dhe këto vetëm për vitin 2025. Që do të thotë kemi një agjenci, që funksionon, kemi një agjenci që jo vetëm mbledh informacion ndaj subjekteve të ligjit, por dhe i referon atë penalisht në organin e akuzës. Konkretisht kemi 444 punonjës të strukturave të referuar sipas niveleve të drejtimit. Janë 95 punonjës policie në nivel të parë drejtues. Pra, këto janë fakte, janë referime penale nga AMP në prokurori”, u shpreh Lamallari.
“Çështjet vijojnë, ndiqen, disa prej tyre janë disponuar dhe me vendim gjykate. Kemi gjithashtu 330 punonjës në nivel zbatues dhe kemi në total 100 hetime proaktive vetëm për vitin 2025, ku fokusi ka qenë tek nivelet drejtuese. 133 persona të arrestuar ose ndaluar, mes tyre dhe punonjës policie, por gjithashtu dhe bashkëpunëtorë, qytetarë, të cilët kanë ndikuar ose kanë tentuar të ushtrojnë veprimtari të paligjshme në bashkëpunim me punonjës policie. Dhe këtu falënderoj qytetarët ku konkretisht 1677 ankesa ndaj punonjësve të policisë, kanë ardhur pikërisht nga qytetarët të cilat janë marrë dhe adresuar me seriozitet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe falë tyre është bërë e mundur dhe regjistrimi i çështjeve dhe referimi i tyre në prokurori”, tha Lamallari.
Ministri shtoi se, gjatë vitit 2025, 180 punonjës janë nën hetim administrativ, 54 janë përjashtuar nga Policia e Shtetit, dhe 179 janë pezulluar. Lamallari theksoi se shifrat nuk duhet të përdoren për qëllime politike, por tregojnë një reagim të institucioneve për adresimin e shkeljeve.
“Nuk po citoj masat disiplinore sepse ato janë një natyre më të lehtë. Megjithatë fokusi duhet të mbetet tek niveli drejtues dhe tek referimet penale. Gjatë vitit 2025 kemi aktualisht 180 punonjës, që janë nën hetim administrativ. Nëse janë shkelje të rënda sigurisht ligji parashikon qartë përjashtimin e tyre, nëse janë të lehta ka disa masa nga ulja në gradë edhe masa të tjera, të cilat parashikohen si në ligj po ashtu dhe në rregulloret e brendshme.
“Ka pasur 54 përjashtime nga Policia e Shtetit, 179 punonjës policie të pezulluar. Tani, këto shifra që unë citova, janë shifra zyrtare që në fakt nuk duhet të përdoren për politikë, sepse gjithmonë është çështje këndvështrimi, nëse ne duam t’i shohim si problem gangrene, apo duam t’i shohim si një refleksion të institucionit që reagon. Unë besoj që kjo e fundit qëndron, pasi problemi mund të jetë aty po mund të fshihet dhe kjo është shqetësuese për një vend e shoqëri që synon të aderojë në BE. Por kur fenomeni është aty dhe adresohet, pa pasur droje për t’i përmendur shifrat ashtu siç janë, kokëforta, por që në fakt tregojnë pikërisht që institucionet reagojnë, e adresojnë problemin, por nuk fshihen të dhënat, atëherë unë mendoj që jemi absolutisht në rrugën e duhur. Inkurajoj e kërkoj çdo ditë dhe në raportet javore, si nga drejtuesit e policisë, po ashtu edhe nga drejtuesi i AMP, të konfirmojë me raste konkrete, edhe bashkëpunimin që ka me organin e akuzës, si me Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu edhe me SPAK, për të dëshmuar se kjo është një punë e përditshme dhe përtej se kush afektohet, ajo çfarë është e rëndësishme është reagimi i institucioneve shqiptare në mbrojtje të interesit publik dhe qytetarëve të vendit”, tha ministri.
Ai nënvizoi gjithashtu se Policia e Shtetit përballet jo vetëm me krimin dhe emergjencat, por edhe me sfida politike dhe presion.
“Policia e Shtetit nuk ia ka borxh askujt që të bëhet pjesë e narrativave politike sidomos atyre për interesin e ditës. Policia e Shtetit ka detyrim ligjor t’i shërbejë vendit, qytetarëve, pa u ndikuar nga akuzat dhe balta e cila për fat të keq përfshin këdo, të madhe e të vogël”, tha ai.
/m.q/j.p/