E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari: Sulme të padrejta ndaj drejtorit të ri të policisë, goditet siguria e qytetarëve

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, për situatën e sigurisë në vend.

Gjatë interpelancës, Lamallari i përmendi opozitës fjalët e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit në kohën e qeverisjes së PD-së, Ahmet Prençi, për Skëndër Hitën, drejtor i ri i Policisë së Shtetit.

“Kur goditet padrejtësisht Policia e Shtetit, nuk goditet një qeveri apo një ministër, goditet siguria e qytetarëve. Të padrejta janë edhe sulmet që erdhën nga radhët tuaja për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Përgjigjja ime më e mirë për akuzatorët, janë fjalët e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në kohën kur ju ishit në qeveri.

“Po citoj zotin Ahmet Prençi në një reagim të tij publik për Skënder Hitën: “Është përzgjedhur një nga emrat më të spikatur të kësaj strukture, një profesionist me një karrierë të ndërtuar mbi përkushtim, integritet dhe rezultate konkrete. E kam ndjekur rrugëtimin e tij që në hapat e parë si oficer i ri dhe, në çdo fazë të karrierës, ai ka dëshmuar cilësi të rralla: inteligjencë, maturi, vendosmëri dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie institucionale. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të forcojë më tej profesionalizmin, besueshmërinë dhe autoritetin e saj në shërbim të ligjit dhe qytetarëve”, thotë z. Prençi, citoi ministri Lamallari.

/m.q/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›