E Diel, 1 Nëntor 2026

Lefter Maliqi me mesazh politik: Beteja vazhdon, Hajdar shihemi së shpejti

Lefter Maliqi ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale, ku shprehet se, sipas tij, “hajduti, i paafti dhe abuzuesi” nuk mund të fitojnë. Në postimin e tij, Maliqi sjell edhe një episod nga karriera e tij në Policinë e Shtetit, duke e lidhur me zhvillimet aktuale politike.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, ish-deputeti shkruan se nuk beson se mund të triumfojnë ata që, sipas tij, kanë abuzuar me detyrën.”Kush mendon se fiton hajduti, i paafti dhe abuzuesi, gabon! Prisni, duroni dhe do të bindeni!”, shkruan Maliqi.

Maliqi rikujton se në vitin 2002, kur ishte shef i Komisariatit të Beratit, denoncoi publikisht, sipas tij, abuzimet e drejtorit të Policisë së qarkut.

Sipas tij, për shkak të këtij qëndrimi u shkarkua nga detyra dhe u caktua në pozicione më të ulëta, por nuk u tërhoq nga denoncimet.

Ai pretendon se disa vite më vonë drejtori i atëhershëm u dënua, ndërsa vetë vijoi karrierën në Policinë e Shtetit dhe më pas në politikë.

Në fund të reagimit, Maliqi shprehet se synon të fitojë drejtimin e Bashkisë së Kuçovës, duke premtuar ndryshime në qytet.

Po ashtu, ai i drejtohet me një mesazh Hajdarit, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi kontekstin.”Beteja vazhdon. Hajdar, shihemi së shpejti, por në pozicione të ndryshme! Duro!”, përfundon Maliqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›