Lejuan ndërtimet pa leje, Prokuroria jep detaje për operacionin në Sarandë: 12 masa sigurimi, arrestohen 3 efektivë dhe biznesmeni

Prokuroria e Sarandës ka dhënë sot informacion zyrtar për operacionin e zhvilluar ndaj disa personave të dyshuar për ndërtime pa leje. Prokuroria ka lëshuar 12 urdhra ekzekutimi për masa sigurimi ndaj punonjësve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ndërtime të paligjshme në qytetin e Sarandës.
Vendimi për caktimin e masave të sigurimit është dhënë për zyrtarë të Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariati i Policisë Sarandë dhe biznesmenë që ushtrojnë aktivitet në fushën e ndërtimit.
Deri tani janë ekzekutuar masat e sigurimit për katër persona nën hetim. Mes tyre është Blerim Tafçiu, ish-shef i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë.
Po ashtu, ndaj dy ndihmës specialistëve të policimit në komunitet në Komisariatin e Policisë Sarandë, shtetasve Kastriot Sotka dhe Kristofor Shkrepa, është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, pasi dyshohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Ndërkohë, masa “arrest në burg” është vendosur edhe për biznesmenin A.P., i dyshuar për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
Prokuroria bëri me dije se po punohet për ekzekutimin edhe të 8 masave të tjera të sigurimit të caktuara nga gjykata.
Zyrtarët akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërsa biznesmeni akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm”.
/rtsh.al/