Lidershipi i Qytetit Evropian në Londër, Sako mes 30 kryetarëve të bashkive evropiane

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirana Sako po merr pjesë në aktivitetin e Nismës Bloomberg LSE, për Lidershipin e Qytetit Evropian që mbahet në Londër.
Sako i është bashkuar 30 homologëve të huaj nga vende të ndryshme të botës që po marrin pjesë në këtë organizim.
Në një postim në rrjetet sociale, Sako u shpreh se “ndërsa politikat kombëtare dhe globale varen gjithnjë e më shumë nga progresi lokal, bashkitë janë në thelb të së ardhmes së Evropës”.
Sako tha se ndihet e nderuar që të jetë midis 30 kryetarëve të bashkive nga vende të ndryshme të botës të përzgjedhur për të marrë pjesë në klasën përuruese të Nismës Bloomberg LSE për Lidershipin e Qytetit Evropian.
Sipas Sakos, kjo është nisma e parë e këtij lloji, e udhëhequr nga Bloomberg Philanthropies dhe The London School of Economics and Political Science (LSE) me Hertie School.
“Ky program do ta pajisë ekipin tonë në bashkinë Durrës me aftësi të përparuara për t’u përballur me sfidat urgjente, për të shfrytëzuar mundësitë dhe për të marrë role udhëheqëse, duke sjellë përparim për banorët në mënyra krejtësisht të reja”, përfundoi Sako.
Iniciativa e Lidershipit të Qyteteve Evropiane e Bloomberg LSE synon që të pajisë kryetarët e bashkive me strategji dhe aftësi, të mbështetura nga studiues dhe udhëheqës politikash botërore që nxisin hartimin e zgjidhjeve me rezultate të prekshme për qytetarët.
/e.i/j.p/