Partneritet mes UBT-së dhe Ministrisë së Bujqësisë për inovacion dhe zhvillim rural

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, prof. dr. Fatbardh Sallaku, priti në një takim zyrtar ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Sallaku tha se, kjo vizitë vjen si kuadër të vlerësimit që i jepet rolit të universiteteve në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rural në vend.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë mes UBT-së dhe Ministrisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushat e edukimit, kërkimit shkencor dhe projekteve inovative që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.
Ministri Salla shprehu mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes profesionale të brezit të ri dhe mundësive për integrimin e tyre në tregun e punës.
Ai vuri në dukje se të rinjtë janë çelësi i transformimit të sektorit bujqësor përmes inovacionit dhe teknologjisë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt një vizioni të përbashkët për zhvillimin rural dhe fuqizimin e të rinjve si faktorë kyç në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe moderne për bujqësinë shqiptare.
/e.xh//r.e/a.f/