E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sula: 25 nga 251 persona të verifikuar figurojnë në dosjet e ish-Sigurimit

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Kryetarja e Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula prezantoi sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, veprimtarinë e AIDSSH përgjatë vitit 2024.

Të ftuar për prezantimin e veprimtarisë së AIDSSH-së dhe dhënë përgjigje pyetjeve të deputetëve ishin edhe anëtarët e Autoritetit: Altin Hoxha, Skënder Vrioni, Albert Nikolla dhe Gjergj Marku.

Raporti u prezantua nga Sula, e cila u ndal tek arritjet e deritanishme të AIDSSH, përmbushjen e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit dhe detyrimeve ligjore, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, etj.

Sula parashtroi punën e bërë nga institucioni lidhur me deklasifikimin e dokumenteve, digjitalizimin e dokumenteve arkivorë dhe modernizimin e arkivës, trajtimin e kërkesave studimore dhe mediatike, edukimin dhe ndërgjegjësimin shoqëror përmes platformës “Mësojmë nga e kaluara”, rastet për verifikimin e figurave, etj.

Më pas Sula sqaroi se në vitin 2024 në Autoritet janë paraqitur 3701 kërkesa individuale dhe janë mbyllur 3547, duke arritur një normë përmbushjeje prej 96%.

Lidhur me verifikimin e figurave, Sula informoi se gjatë periudhës janar–dhjetor 2024, Autoriteti ka trajtuar 82 kërkesa për verifikim, që përfshinte 263 kandidatë, prej të cilëve janë verifikuar 251 persona.

Nga ky numër, 25 individë rezultojnë të kenë figuruar në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, dhe për këto raste, Autoriteti ka marrë gjithsej 92 vendime.

Deputeti Ermal Pacaj, në cilësinë e relatorit, bëri një relacion përmbledhës dhe vlerësoi punën e deritanishme të AIDSSH-së, duke u ndalur dhe në zbatimin e rekomandime të lëna nga Kuvendi në rezolutën e vitit të kaluar.

Më tej anëtarët e AIDSSH iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme të deputetëve të komisionit lidhur me verifikimin e figurave, nevojën për përmirësime të kuadrit ligjor, etj.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›