MAROK – 22 viktima pas shembjes së dy ndërtesave

KAJRO, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Njëzet e dy persona kanë humbur jetën, pas shembjes së dy ndërtesave ngjitur në qytetin e Fezit, në veri të Marokut, njoftoi sot agjencia zyrtare marokene e lajmeve, MAP.
”Dy ndërtesat katërkatëshe, që strehonin tetë familje, u shembën gjatë natës. Të paktën 13 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme dhe janë dërguar në spital”, njoftoi MAP duke cituar autoritetet lokale.
”Punonjësit e shpëtimit dhe forcat e sigurisë mbërritën menjëherë në vendngjarje për të filluar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, për të siguruar zonën përreth dhe për të evakuuar banorët e ndërtesave fqinje si masë paraprake”, thanë autoritetet.
”Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë për të gjetur çdo person që mund të jetë bllokuar nën rrënoja”, sipas raportit.
Fez është qyteti i tretë më i madh i Marokut dhe një nga më të vjetrit./ /Ad.Ab./ a.jor.