E Diel, 1 Nëntor 2026

MOSKË – Kremlini: Tranziti bërthamor përmes Finlandës, një kërcënim i drejtpërdrejtë për Rusinë

MOSKË, 6 mars /ATSH-DPA/- Rusia ka paralajmëruar se lejimi i tranzitit të armëve bërthamore nëpërmjet territorit të Finlandës do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë dhe do ta detyronte Moskën të rriste praninë e saj ushtarake në kufirin verior.

Andrey Kolesnik, anëtar i Komitetit të Mbrojtjes në Duma-n Shtetërore, deklaroi se nëse autoritetet e Finlandës lejojnë tranzitin e armëve bërthamore në territorin e tyre, kjo do të konsiderohej një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.

Sipas tij, një hap i tillë nga Helsinki do të shkonte përtej një tjetër përshkallëzimi të tensioneve dhe do të kalonte në atë që ai e quajti një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Federatës Ruse.

Ai theksoi se Finlanda vetëm sa do të rriste tensionet rreth vetes nëse ndërmerrte një veprim të tillë.

Kolesnik tha se në një skenar të tillë, forcat ruse do të fillonin të monitoronin shumë më nga afër situatën në Finlandë.

Ai shtoi se Moska do të detyrohej të rriste kapacitetet e saj ushtarake në atë drejtim, duke theksuar se Rusia nuk mund të pranonte praninë e armëve bërthamore pranë kufijve të saj.

Raporti kujton se autoritetet finlandeze kanë deklaruar më herët se nuk e përjashtojnë mundësinë e heqjes së ndalimit aktual për tranzitin e armëve bërthamore në vend.

Aktualisht, ky kufizim është i përfshirë në ligjin për energjinë bërthamore, por sipas burimeve, Ministria e Mbrojtjes e Finlandës po punon tashmë për një iniciativë që synon rishikimin e kësaj dispozite. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›