E Martë, 3 Nëntor 2026

MOSKË – Kremlini hedh poshtë planet e BE-së për të ulur çmimin e naftës

MOSKË, 11 qershor /ATSH-DPA/- Rusia i shpërfill planet e Bashkimit Evropian për një tavan çmimesh edhe më të ulët për eksportet e naftës, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

“Rusia ka fituar përvojë të vlefshme dhe të konsiderueshme që na lejon të minimizojmë efektet negative të masave të tilla”, shtoi ai.

BE synon të ulë tavanin aktual të çmimit nga 60 dollarë për fuçi në 45 dollarë, si pjesë e përpjekjeve për të shtrënguar sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Peskov tha se ky veprim nuk do të sillte stabilitet në tregjet globale të naftës dhe energjisë.

Rusia tani shet pjesën më të madhe të naftës së saj në Kinë dhe Indi, duke ruajtur rrjedhat e të ardhurave që ndihmojnë në financimin e luftës së saj.

Strategjia e BE-së është hartuar për të ushtruar presion financiar ndaj Kremlinit, i cili mbështetet në eksportet e lëndëve të para.

Moska e ka bërë të qartë vazhdimisht se blloku nuk e ka arritur qëllimin e tij për të ndaluar pushtimin rus të Ukrainës me 17 paketat e sanksioneve, deri më sot.

Megjithatë, Rusia i ka ndjerë efektet dhe po kërkon heqjen e sanksioneve në këmbim të një armëpushimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që kufiri i naftës të përgjysmohet në 30 dollarë për fuçi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›